Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tregoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Petkoviç theksoi se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviç.
“Pas këtyre deklaratave zyrtare, Presidenti Vuçiç zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat”, tha Petkoviç gjatë një konference për media më 28 dhjetor.
Petkoviç tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, që ishin në Beograd, do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada dhe pas orës 19:00 do të takohen me Vuçiçin, në territorin e Serbisë, ku do të kuptohet se çfarë vendimi kanë marrë serbët e veriut, sa i përket çështjes së tërheqjes nga barrikadat.