Sport “Messi është mi kanalesh, na bëri shantazh” zbardhen përgjimet skandaloze të drejtuesve...

“Messi është mi kanalesh, na bëri shantazh” zbardhen përgjimet skandaloze të drejtuesve e Barcelonës

Një tjetër “bombë” shpërthen në Camp Nou. Sipas “El Periodico de Catalunya”, një hetim i autoriteteve spanjolle ka treguar se shifrat stratosferike të kontratave të Leo Messi dhe Gerard Pique i janë dhënë mediave nga vetë drejtuesit e klubit katalanas, me në krye presidentin e atëhershëm Bartomeu.

Sikur të mos mjaftonte kjo, hetimi ka zbuluar edhe ofendimet e rënda që zyrtarë të lartë të Barcelonës i bënin lojtarëve më të mirë të skuadrës.

Në mars të vitit 2020, shefi i departamentit ligjor të klubit, në një email shkruante për mundësinë për të publikuar kontratat e yjeve të skuadrës.

“Nuk do të ishte ide e keqe të publikonim kontratat milionere të ekipit të parë, që njerëzit t’i përbuznin publikisht”, i shkruante Gomez Ponti, Presidentit Bartomeu.

Kur këto kontrata dolën në dritë, nisi sherri mes drejtuesve të klubit për të gjetur kush i kishte nxjerrë, si dhe pati shumë ofendime ndaj futbollistëve.

I vetmi që ruajti qetësinë ishte Presidenti i klubit, i cili në një email shkruan: “Rrjedhja e informacionit mbi kontratat mund të ketë dalë vetëm nga brenda klubit. Ai që e ka bërë, e ka dëmtuar klubin”.

Por, bie në sy toni i shefit të shërbimeve juridike të klubit, Román Gómez Ponti, kur flet për Messin: “Bartomeu, sinqerisht, nuk mund të tregohesh kaq i mirë me atë mi kanalesh. Klubi i ka dhënë gjithçka dhe ai vendosi diktatin e tij për merkaton, rinovimet, reklamat, duke parë vetëm interesin e tij. Ne i dimë shantazhet që na ka bërë ai xhuxhi, që Barcelonës i ka borxh jetën. Por, kur vjen pandemia, të çon mesazh ty në WhatsApp, duke të thënë që t’ia ulësh rrogën të gjithë të tjerëve, por vetëm atij dhe Luisit (Suarez) jo. Shpresoj që të largohet sa më parë nga Barcelona”.

Përgjigjja e Bartomeut ishte e tillë: “Jam dakord me shumë gjëra, por Barcelona është e para dhe lajme të tilla e dëmtojnë klubin”.