Politika Kërkesa e Gazmend Bardhit, Apeli nuk përjashton gjyqtaren dhe gjobit PD me...

Kërkesa e Gazmend Bardhit, Apeli nuk përjashton gjyqtaren dhe gjobit PD me 10 mijë lekë

Gjykimi i ankimit të Enkelejd Alibeajt në Apelin e Tiranës kundër vendimit që nuk regjistroi bashkë dy kuvendet e thirrura nga ish-kryetari Lulzim Basha, do të vijohet nga e njëjta trupë gjyqësore. Gjyqtarja Edlira Petri refuzoi kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për përjashtimin nga trupa të kryesueses Irida Kacerja.

Njëkohësisht, duke e vlerësuar kërkesën si abuzuese ka gjobitur Partinë Demokratike me 10 mijë lekë. Pretendimi i Bardhit që vijon ta konsiderojë veten sekretar të përgjithshëm të PD, në injorim të zgjedhjeve që bëri Berisha, u paraqit në seancën e 22 dhjetorit 2022.

Ai kërkoi përjashtimin e gjyqtares, me pretendimin se ajo kishte paragjykuar çështjen kur i kërkoi avokatit të paraqiste një autorizim të lëshuar në përputhje me rregullat e statutit të PD. Në këtë mënyrë shqyrtimi i çështjes do të vijojë nga treshja gjykuese Irida Kacerja, Emona Muçi e Genti Shala. Seanca e radhës së këtij procesi në Apel është në 17 janar.

Gjykata vitin e kaluar regjistroi statutin e Kuvendit të korrikut 2021 të Bashës, por nuk bashkoi në të njëjtin vendim dhe Kuvendin e 18 dhjetorit, forum që u mblodh një javë pas Kuvendit të Berishës më 11 dhjetor.