Kreu i Kadastrës Artan Lame ka folur këtë të hënë në një konferencë për shtyp lidhur me regjistrimin e pronave shtetërore.
Sipas Lames vitin e fundit janë identifikuar 260 mijë prona shtetërore ku një pjesë e madhe rezulton e paregjistruar, gjë që ka shkaktuar dhe rastet e shumta të abuzimit prej kohësh.
Lame tha se tashmë në e-Albania do ketë një portal të ri të quajtur “Regjistri i Pronave Shtetërore” ku do të hidhen të gjitha pronat e identifikuara dhe të saktësuara.
Lame: Duket absurd, por edhe vetë shteti para 30 vitesh ka ndërtuar pa leje. Çdo vit ne kemi rreth një milion aplikime të qytetarëve për problematikat e tyre. Pasi vumë në zgjidhje nëpërmjet e-Albania pronën e qytetarëve tani po fokusohemi te regjistrimi i pronës shtetërore.
Jemi koshientë se çfarë ka ndodhur me pronën shtetërore në këtë vend, nuk dua ta vë gishtin mbi të shkuarën por ky institucion ka pasur një amulli që dëmtoi procesin e regjistrimit të pronave. Rastet me abuzimit janë të pafundme, do mjaftojmë të kujtojmë ca të fundit që janë bërë publike në media dhe kanë ardhur si pasojë e mosregjistrimit. Është abuzuar me pronën shtetërore të institucioneve që kanë pasur hapje në territor.
Oborri i burgut është me pronar, ndërsa vetë godina ka mbetur në shtet. Një rast tjetër ishte për ndërtimin e Teatrit të ri të kukullave që me vendim gjykate kishte kaluar te privati. Apo edhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë që është një hapësirë kolosale ku brenda saj ka prona private, të plaçkitura, të kthyera.
Dhe kjo ka ndodhur për një arsye të thjeshtë se duke qenë prona të paregjistruara, komisionet dhe gjykatat kanë bërë privatizim pronash. Në vitin 2020 qeveria prodhoi dy ligje të rëndësishme, u arrit të identifikohen 230 mijë prona shtetërore, sot kemi 260 mijë prona shtetërore në të gjithë territorin. Prej tyre 150 mijë i janë transferuar institucioneve vendore.
Të mërkurën do kalojë në qeveri një VKM shumë e rëndësishme, për përditësimin e pronave publike. Kështu identifikohen, saktësohen dhe më pas regjistrohen këto prona. Për krijimin e regjistrit të pronës shtetërore dhe sot në rrjet ne po e lançojmë pikërisht këtë.
Në e-Albania sot kanë portalin ku bëjnë veprimet e tyre me pronat private, ndërkohë brenda sistemit tonë është një portal që shërben vetëm për institucionet prej një viti, brenda këtij portali ne kemi hapur një portal më vete që është “Regjistri i Pronës Publike” dhe gjithë korpusi i madh i pronave të identifikuara do të hidhen këtu. Secili prej institucioneve identifikon pronën e vet, përshembull po të hyjmë te Presidenca na del që nuk ka të regjistruar asnjë pronë të vetën. Në fakt sot jemi në fillim të 2023-it dhe Presidenca rezulton ende e paregjistruar, vjedhja e pronave në pjesën e pasme të saj është bërë pikërisht prej mos regjistrimit. Prapë u kërkoj aparatit të Presidencës të aplikojnë për regjistrim.