Bota Zbulohet se cili është qyteti ‘më i fuqishëm’ turistik në botë

Zbulohet se cili është qyteti ‘më i fuqishëm’ turistik në botë

Parisi është një qytet i dashur për ushqimin e mirë, artin e bukur dhe modën e veçantë.

Por, një indeks i ri nga Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC) thotë gjithashtu se Parisi është qyteti më i fuqishëm në botë për turizmin.

WTTC, një organ jofitimprurës i industrisë së turizmit me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, analizoi të dhënat e turizmit nga viti 2022 për të parë se cilat ishin vendet ku udhëtarët donin të shpenzonin më shumë para.

Megjithatë, lista e përgjithshme e qyteteve më të fuqishme turistike nuk konsideron vetëm biletat e muzeve dhe dhomat e hoteleve. Faktori tjetër ishte përmasa e investimeve të qeverive dhe bizneseve vendore dhe kombëtare për t’i bërë këto qytete tërheqëse si destinacione turistike.

Për shembull, Parisi, i cili u rendit në krye të listës, po përgatitet të presë Lojërat Olimpike Verore 2024. Megjithëse vetëm më pak se 5% e objekteve do të ndërtohen rishtazi për Lojërat Olimpike, qyteti po shpenzon burime në infrastrukturë, siguri dhe masa të tjera që do të mundësojnë përgatitjet për të pritur të gjithë botën në këto Lojëra Olimpike.

Sipas llogarive, totali i përgjithshëm i shpenzimeve për turizmin në kryeqytetin francez arriti në 35.6 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara në turizëm

Dy vende arritën të kenë secili nga tre qytete në listën e WTTC. Vendi i parë ishin Shtetet e Bashkuara, me Orlandon, New York City dhe Las Vegas që përfaqësonin këtë vend.

Megjithëse secili prej këtyre qyteteve arrin të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, ato tërheqin lloje të ndryshme udhëtarësh: Orlando është më i njohur për familjet që vizitojnë parqet e qytetit, Las Vegas është një qendër e njohur ndërkombëtarisht për lojërat e fatit dhe jetën e natës, ndërsa Nju Jorku tërheq të pasionuarit pas ushqimeve dhe adhuruesit e artit.

Nga ky grup qytetesh, Orlando ishte ai me të ardhurat më të larta, plot 31 miliardë dollarë për vitin 2022.

Kina në rritje

Tre qytete kineze – Pekini, Shangai dhe Guangzhou – u renditën në 10 më të mirat për vitin 2022.

Disa destinacione të tjera kineze u përmirësuan në renditjen e tyre në këtë indeks. Në veçanti, pushimet në plazhin e Sanya – në ishullin Hainan plot me diell në Kinën jugore – dhe Makao u përmendën si vende që duhen konsideruar në të ardhmen.

Kina ka investuar shumë para në turizëm dhe ka filluar reklamimet për udhëtarët e huaj tani që kufiri i saj është rihapur. Makao është i vetmi qytet në Kinë ku lojërat e fatit janë të ligjshme dhe është më e lehtë për shumicën e turistëve që të shkojnë atje pa vizë – ndryshe nga pjesa tjetër e vendit.

WTTC parashikon që deri në vitin 2032, Kina do të dominojë renditjen e saj.

“Qytetet e mëdha si Londra, Parisi dhe Nju Jorku do të mbeten fuqi globale, por, gjatë viteve të ardhshme, Pekini, Shangai dhe Makao do të ngjiten në listën e qyteteve kryesore për t’u vizituar”, tha në një deklaratë Julia Simpson, Presidente dhe CEO e WTTC.

Vendet e tjera

Sigurisht, ka më shumë se dy vende që u përfaqësuan në listën e WTTC. Tokio, Mexico City dhe Londra u renditën në vendin e shtatë, të tetë dhe të nëntë respektivisht, duke mbyllur kështu renditjen.

Në njëfarë mënyre, është po aq interesante të shikojmë se cilat qytete nuk arritën të ishin pjesë e listës.

Dy qytete që befasuan me mungesën e tyre në renditje ishin nga Lindja e Mesme, e cila është rritur shumë në popullaritet gjatë dekadës së fundit.

Megjithëse Dubai plot luks dhe Doha që priti Kupën e Botës në futboll kryesuan listën si qytetet me sasisë më të madhe të të ardhurave nga turizmi, ato nuk arritën pikë aq të larta në kategoritë e tjera dhe, si rrjedhojë, nuk ishin pjesë e dhjetëshes së parë.

Amsterdami, Barcelona dhe Singapori u bënë gjithashtu viktima të të njëjtit fenomen, duke pasur më tepër pikë për shumën e parave të shpenzuara nga vizitorët, por nuk arritën që të renditeshin në listën e përgjithshme të “më të fuqishmëve”.

Qytetet më të fuqishme në botë për turizmin 2022

Paris, Francë

Pekin, Kinë

Orlando, Florida

Shangai, Kinë

Las Vegas, Nevada

Nju Jork, Nju Jork

Tokio, Japoni

Mexico City, Meksikë

Londër, Mbretëria e Bashkuar

Guangzhou, Kinë / CNN