Aktualitet Raporti i Transparency International: Shqipëria mbetet ndër vendet më të korruptuarat në...

Raporti i Transparency International: Shqipëria mbetet ndër vendet më të korruptuarat në Europë

Shqipëria ka shënuar një përmirësim të lehtë në indeksin e korrupsionit për vitin 2022, sipas raportit të fundit të Transparency International, që mat perceptimin e korrupsionit në të gjithë botën, megjithatë ky përmirësim i lehtë nuk ka marrë vlerësim nga raporti.

Vendi kishte një tregues prej 36 pikësh, me rritje prej një pikë, nga 100 pikë që është vlerësimi maksimal (sa më shumë pikë aq më pak i korruptuar është një vend).

Për Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore të “Transparency International”, Lidija Prokic, ky është një ndryshim i vogël që nuk konsiderohet përparim.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Pavarësisht përmirësimit të lehtë, raporti thekson se Shqipëria ka qëndruar në vend në raportin e indeksit të perceptimit të korrupsionit, duke e vënë theksin në përkeqësimin e lirisë së medias.

“Progresi i këtij regjimi hibrid në fusha si verifikimi gjyqësor dhe forcimi i Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është lënë në hije nga dobësimi i pavarësisë së medias dhe mungesa e mundësive për angazhim kuptimplotë në vendimmarrje nga shoqëria civile. Vazhdojnë fushatat shpifëse dhe frikësimi kundër gazetarëve dhe, nëse miratohen, ndryshimet në ligjin për lirinë e informimit do të ngushtojnë më tej mundësitë për mbikëqyrje të pavarur të institucioneve publike, duke u ofruar institucioneve baza ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit”, thuhet në raport.

Në renditjen globale Shqipëria është në vendin e 101, në të njëjtin pozicion me Serbinë, e cila ka shënuar përkeqësim këtë vit. Shteti më i korruptuar në Europë është Bosnje Hercegovina, me një tregues prej 34, që e ka pozicionuar në vendin e 110.

Sipas renditjes, Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, së bashku me Turqinë (101) janë më të korruptuarat në Europë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik).

Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim, duke u ngjitur në vendin e 85 (40 pikë). Kosova, është në vendin e 84, me 41 pikë. Shteti më pak i korruptuar në rajon është Mali i Zi, me 45 pikë, në vendin e 65.

Në botë, rekordin për nivelin më të ulët të korrupsionit e ka marrë Danimarka, duke zhvendosur Finlandë dhe Zelandën e Re. Lista e më pak të korruptuarave në botë vijon me Zelandën e re, Norvegjinë, Singaporin, Suedinë, Zvicrën, Holandën, Gjermaninë.

Në kahun e kundërt, më të korruptuarat janë Somalia dhe Siria.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2022 (CPI) tregon se shumica e vendeve po dështojnë të ndalojnë korrupsionin.

CPI rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, duke shënuar në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) deri në 100 (shumë e pastër).

Mesatarja globale mbetet e pandryshuar për më shumë se një dekadë në vetëm 43 nga 100. Më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50, ndërsa 26 vende kanë rënë në pikët e tyre më të ulëta deri më tani. Megjithë përpjekjet e bashkërenduara dhe përmirësimet, 155 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm kundër korrupsionit ose kanë rënë që nga viti 2012.