Aktualitet Arrestohet në Kosovë një nga të akuzuarit për vrasjen e Briken Sanajt...

Arrestohet në Kosovë një nga të akuzuarit për vrasjen e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”

Gjelosh Krasniqi, një nga personat e akuzuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit” në Tiranë, është arrestuar në Kosovë.

Krasniqi u arrestua në Pejë mbrëmjen e së martës.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se Gjelosh Krasniqi është njëri nga personat që ka ndihmuar autorin e vrasjes me informacione dhe infrastrukturë. Kened Antoni i shiti makinën që u përdor në krim Gjelosh Krasniqit, dhe ky i fundit e ka futur nga Kosova në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola, i akuzuar si vrasësi direkt i Briken Sanajt.

Plani për ekzekutimin e Sanajt dyshohet se u bë rreth 1 javë para ngjarjes në një lokal në zonën e Lezhës. Në këtë ambient, Vladimir Kola u takua dhe me dy kosovarët që i siguruan mjetin tip Benz që u përdor në krim, e cila rezultoi prova kryesore në identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë.

Pas arrestimit të Gjeloshit, në kërkim mbeten dy personat e tjerë, Kola dhe Antoni.

39-vjeçari Briken Sanaj u vra më 30 tetor 2022 pranë shtëpisë së tij tek “Kodra e Diellit” në Tiranë. Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë kur familjari i Vladimirit është plagosur rëndë nga i vëllai Briken Sanajt.