Sekretari amerikan i Shtetit ka vendosur ta shtyjë vizitën në Kinë, pas incidentit me balonën kineze, që sipas Pentagonit dyshohet se po përdorej për qëllimeve përgjimi. Lajmi u konfirmua të premten nga zyrtarë amerikanë në dijeni të zhvillimeve, të cilët folën në kushte anonimiteti. Kina pranoi sot se balona mbi hapësirën ajrore amerikane ishte e saj, por hodhi poshtë pretendimet se ajo po përdorej për përgjim.
Po kështu Kanadaja e ka thirrur ambasadorin kinez në takim pasi ka vërejtur balonën kineze, mbi hapësirën ajrore të Amerikës Veriore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka vendosur ta shtyjë vizitën në Pekin, njoftuan mediat amerikane, vizitë që ishte parashikuar të zhvillohej në datat 5 dhe 6 shkurt. Arsyeja për këtë është balona kineze që u vu re të fluturonte mbi qiellin amerikan. Blinken nuk donte që kjo çështje të dominonte takimet e tij me zyrtarët kinezë, raportojnë më tej media amerikane.
Përmes një deklarate të bërë mbrëmjen e së premtes Ministria e jashtme e Kinës konfirmoi se balona e vërejtur mbi qiellin amerikan është e saj.
Në njoftimin zyrtar thuhej se “mjeti fluturues është kinez dhe po përdoret për kërkime meteorologjike dhe kërkime të tjera shkencore. Për shkak të ndikimit të erërave perëndimore dhe pamundësisë për ta kontrolluar, balona devijoi nga kursi i saj”.
Objekti që duket se është një balonë përgjimi është vërejtur mbi qytetin Billings, në Montana. Ajo po fluturon në një lartësi mbi trafikun ajror komercial dhe nuk paraqet rrezik ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë.
“Po shikoja nga dritarja si zakonisht, kur vura re balonën. Në fillim mendova se ishte një yll, por kjo s’kishte mundësi pasi ishte mesi i ditës. Më pas e kuptova se ishte shumë i madh për të qenë yll”, tha zoti Doak.
Incidenti mund të nxjerrë në pah deri ku Pekini dhe Uashingtoni janë të gatshëm të shkojnë për të spiunuar njëri-tjetrin ndërsa tensionet mes superfuqive botërore janë në rritje. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të udhëtojë në Kinë javën e ardhshme për një vizitë për të cilin kishin rënë dakord në nëntor presidenti Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping.
Zbulimi i balonës së përgjimit mund të ndikojë mbi këto plane.
John Parachini, studiues ndërkombëtar i mbrojtjes në institutin RAND thotë se koha kur ky incident po ndodh “është për të ardhur keq”.
“Nuk është e qartë se balona mund të bëjë ndonjë përgjim më të madh, se sa satelitët kinezë. Presidenti Biden ka folur për mbajtjen e linjave të komunikimit të hapura me qeverinë kineze. Udhëtimi i Sekretarit Blinken në Kinë në ditët në vijim ishte pjesë e kësaj përpjekjeje. Kjo tani krijon një ndërlikim si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Kinën dhe është një provokim për të ardhur keq”, tha zoti Parachini.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy shprehu zemërimin e tij në rrjetin social Twitter.
“Mospërfillja e pacipë e Kinës për sovranitetin e SHBA-së është një veprim destabilizues që duhet trajtuar”, shkroi ai në Twitter.
“Presidenti Biden nuk mund të heshtë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha se Pekini po “verifikonte” situatën dhe paralajmëroi kundër spekulimeve.
“Kina është një vend i përgjegjshëm, që ka respektuar gjithmonë ligjet ndërkombëtare dhe nuk ka ndërmend të shkelë territorin dhe hapësirën ajrore të ndonjë vendi sovran. Lidhur me këtë çështje, jemi në procesin e verifikimit të situatës dhe shpresojmë, që të dyja palët ta trajtojnë atë së bashku me qetësi dhe kujdes”, tha zonja Mao.
Balona përgjimi kanë fluturuar disa herë mbi Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit, por ky balon duket se ka qëndruar më gjatë se në rastet e mëparshme, tha një nga zyrtarët amerikanë.
Zyrtarët thanë fillimisht se avionët luftarakë u mobilizuan për ta goditur atë. Por, Pentagoni këshilloi presidentin Biden të mos e bënte këtë nga frika se mbeturinat mund të përbënin një kërcënim sigurie.