Kryesore Opozita në protestë/ Berisha: Nuk është një revolucion i opozitës, por lëvizje...

Opozita në protestë/ Berisha: Nuk është një revolucion i opozitës, por lëvizje e fuqishme shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar protestës së opozitës nga jashtë Parlamentit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se ajo që opozita e quan “revolucion” nuk është i PD-së, teksa shton se është një lëvizje e fuqishme shqiptare.

“Çfarë ndodh sot? Pse ky parlament, nga tempull i fjalës së lirë, është shndërruar në bunker të fjalës së ndaluar? E thjeshtë, çdo hajdut që të futet në Shqipëri për të vjedhur, nëse e kapin në flagrancë, tenton edhe të të vrasë po mundi. Këta në shtëpitë tanë nuk futen direkt si banda, por në xhepat tona, në taksat tona, në të gjitha pasuritë publike tuajat këta vjedhin natën, vjedhin ditën. Këta i urrejnë qytetarët. A i shihni të takohen me qytetarët? Asnjëherë. Ata vijnë njëherë në katër vjet me thasët e mbushura me eurot që u kanë vjedhur ju. Ata vijnë me thasët me narkoeuro të siguruara nga bandat e tyre për të blerë votat. Sepse ju konsiderojnë ju, demokratë dhe socialistë, qenie inferiore, qenie të dyta, qenie që janë për të duartrokitur dhe asgjë më shumë. Ky revolucion nuk është revolucion i PD. Në të vërtetë është një lëvizje e fuqishme shqiptare. Është një revolucion shqiptar, i çdo shqiptari, që nuk mund të pajtohet që për të vjedhur taksat tuaja, rruga në Shqipëri të ndërtohet me një çmim 6-10 herë më të shtrenjtë”, tha Berisha.

Në fjalën e tij në protestë, kryedemokrati Berisha ju është drejtuar protestuesve duke ju thënë se ata protestojnë sot “jo vetëm për 750 mijë zgjedhësit që votuan për opozitën dhe kundër Edi Ramës, por për çdo shqiptar”.

“Me këtë protestë, në të cilën ju nuk protestoni për disa deputetë të PD-së, nuk protestoni as edhe për PD-në, por ju protestoni sot këtu jo vetëm për 750 mijë zgjedhësit që votuan për opozitën dhe kundër Edi Ramës, por ju protestoni për çdo shqiptar, që ka në vetëdijen e tij idealet e lirisë. Ju jeni këtu për çdo shqiptar dhe protestoni për çdo shqiptar se parlamenti duhet të jetë tempulli i demokracisë dhe jo bunkeri i fjalës së ndaluar. Ju protestoni për çdo shqiptar, i cili beson se aty në parlament, ata që përfaqësojnë opozitën janë për t’ia thënë të vërtetat në sy qeverisë, qoftë edhe qeveria e tyre, por të cilën nuk e kanë votuar për të vjedhur dhe abuzuar dhe shkelmuar fjalën e lirë. Ju protestoni për të gjithë shqiptarët që dëgjojnë për një mori aferash dhe duhet të dinë të vërtetën e vjedhjeve. Ju protestoni për të gjithë ata shqiptarë, që shkëpusin nga vetja bijtë e zemrës dhe i nisin për në dhera të huaj, për në pasiguri. Ju protestoni sot për të gjithë ata shqiptarë, që duhet të besojnë se Shqipëria është një vend i bekuar, se Shqipërinë mund ta bëjnë shqiptarët”, tha Berisha.