Drejtuesi i mjetit Porsche, i cili u përfshi në aksidentin masiv që shkaktoi autobusi i Unazës së Re, ishte në një lidhje direkte në A2 CNN, ku theksoi se pjesa më e rëndë e këtij aksidenti ishte se e akuzuan vetëm për faktin se kishte makinë të mirë.
Kaljon Aleksi tregon se si ndodhi dinamika e aksidentit: “Ndalova në semafor dhe ndjeva një goditje të fortë nga pas. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi, u ngrit pjesa e pasme e makinës dhe u shtyva në drejtim të pemës, te stacioni i autobusit. Instinktivisht shkela frenat, por ishte e pamundur të frenonte makina nga inercia. Kur ktheva kokën pas, pashë xhamin e autobusit që më goditi makinën e më pas nuk mbaj mend”.
“Gjëja e parë që bëra pas aksidentit, ishte të dilja nga makina dhe telefonova vëllain tim”, shtoi Aleksi.
Drejtuesi i Porsche theksoi se vajza që ishte në stacion shpëtoi për faktin se makina e tij është e lartë: “Për fat nuk e futi poshtë vajzën, por e ngriti dhe e shtyu përpara”.