Nuk është kursyer aspak Lionel Messi për dhuratën e suksesit që e ka bërë më krenar se kurrë në karrierë, atë të Kupës së Botës në Katar. Kapiteni i Argjentinës, i zgjedhur lojtari më i mirë i Botërorit, u ka dhuruar shokëve të skuadrës dhe stafit 35 iPhone ari 24 karatësh.
Vlera totale e tyre ka shkuar në 210 mijë euro, sipas asaj që bën me dije ‘TNT Sports’. Në çdo telefon janë shënuar emri i lojtarit dhe numri që ai mban në fanellë.
Patjetër, nuk mund të mungonte logoja e Argjentinës (AFA, Asociación del Fútbol Argentino). Poshtë saj është shkruar: “World Cup Champions 2022”.
Messi ka kontaktuar sipërmarrësin Ben Lyons, CEO i ‘iDesign Gold’, për të bërë këtë dhuratë speciale për shokët dhe stafin teknik.
“Mesi më kontaktoi disa javë pas finales së Kupës së Botës, – ka thënë Lyons. – Ai është një nga klientët më të dhënë pas ‘iDesign Gold’.
Donte të bënte një dhuratë të veçantë për festimin e suksesit të madh në Katar. Nuk donte të dhuronte orët e zakonshme dhe atëherë i propozova iPhone ari me emrat e lojtarëve. Ideja i pëlqeu shumë dhe atë zgjodhi”.