Uncategorized I dënuar në Turqi për trafik droge, policia i sekuestron pasurinë në...

I dënuar në Turqi për trafik droge, policia i sekuestron pasurinë në vlerë 150 mijë euro 63-vjeçarit nga Elbasani

Hetimi i Krimeve Ekonomiko-Financiare në Elbasan ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 150 000 euro, që vinin si pasojë e aktivitetit kriminal të një 63-vjeçari.

Bëhet fjalë për një objekt banimi me sipërfaqe 102.6 m2 dhe oborr me sipërfaqe 250 m2, në lagjen “28 nëntori”, një lokal me sipërfaqe 28.4 m2, në lagjen “Haxhias” dhe një automjet tip “Mercedes-Benz S-Class”. Sipas Policisë 63-vjeçari ishte dënuar në Turqi për trafik droge.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në kuadër të një procedimi pasuror, të iniciuar në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve të akuzuar apo të dënuar nga autoritetet e drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit, kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit:

-A. M., 63 vjeç, banues në Elbasan, të dënuar më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda Ankara, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Në kuadër të këtij procedimi pasuror, është vendosur sekuestrimi i 3 pasurive me vlerë rreth 150 000 euro, konkretisht:

-një objekt banimi me sipërfaqe 102.6 m2 dhe oborr me sipërfaqe 250 m2, në lagjen “28 nëntori”;

-një objekt shërbimi (lokal) me sipërfaqe 28.4 m2, në lagjen “Haxhias”;

-një automjet tip “Mercedes-Benz S-Class”.

Vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.