Politika Në Korçë duan stadium, Rama: Do e mendoj, se Elisa e ka...

Në Korçë duan stadium, Rama: Do e mendoj, se Elisa e ka dobësi Skëndebeun

Na takimin për “Bashkinë që Duam” që po zhvillon në Korçë, kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer lëvdatat për punën e qeverisë së tij për “rilindjen” e bashkisë kryesore të juglindjes.

Por një zonjë kishte një pakënaqësi dhe i kërkoi shefit të qeverisë që të marrë në konsideratë ndërtimin e një stadiumi të ri në qytet.

Ndërsa Rama kujtoi se zonja ishte ajo që kishte protestuar kundër pedonales së Korçës dhe sot është një nga adhurueset e projektit, tha se “ky është protestuesi që duam ne”, duke ironizuar edhe me format e revoltës që aplikon opozita.

“Zonja është protestues tamam që duam, protestues që na sfidon dhe që na bënë të bëhemi më të mirë për njerëzit”, tha Rama.

Në vijim, kryeministri nuk e kurseu batutën, duke thënë se meqë Korça ka për deputetë qarku Elisa Spiropalin dhe kjo e fundit “çmendet” pas Skënderbeut, ai do ta mendojë njëherë kërkesën  e zonjës.

“Kur ta dëgjojë zonja do vërë duart në kokë. Do të fillojmë ndërtimin e stadiumit të Kukësit.

Ju jeni me fat se duke pasur Elisën deputete, e cila ka dobësi të veçantë për Skënderbeun ka mundësi që pas Kukësit ta ketë radhën stadiumi Skënderbeut”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se ministrja më e re e kabinetit të Ramës, Elisa Spiropali u bë hit në internet për fjalimin e saj në Tiranë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2017, ku duke ju drejtuar Ramës në sheshin “Skënderbej” e krahasoi atë me heroin tonë kombëtar.