Pas një diskutimi të Luizit dhe Deas në shtëpinë e “Big Brother VIP”, producentja Lori Hoxha mori shkas për të folur mbi vështirësitë e një programi si “Big Brother”, kritikat ndaj tij, reagimet e njerëzve, por edhe mbi rëndësinë e mirënjohjes.
Luizi u shpreh: “Të gjithë ne e kishim një emër para se të hynim këtu, dikush më shumë, dikush më pak. Por, në këtë moment, në këtë pikë që kemi arritur, jemi të gjithë të vetëdijshëm, dhe me aq sa na kanë thënë, jashtë është bërë goxha e madhe. E kjo është deri diku edhe meritë e jona – sepse kemi dhënë veten, kemi dhuruar spektakël, edhe kemi lënë nam – por merita më e madhe është e këtyre [produksionit], sepse ata na kanë drejtuar kamerat, mikrofonat, jo një media tjetër. ‘Big Brother’ është një patentë që t’i e ble nga një X vend. Mund ta kishte marrë një media tjetër, por s’e ka marrë.”
“Kështu që duhet t’ua dimë për nder, sepse ata më morën në telefon. Mediat e tjera kanë spektakle të tjera dhe nuk u ka rënë ndërmend. Tani të krijon Topi, të rrit Topi dhe ti të ikësh direkt [në një media tjetër] për vlerë monetare… se nuk ikën dikush për arsye tjetër,” shtoi më pas.
Në Instagram, në një reagim të gjatë, Lori ndër të tjera shkroi: “Më lumturon të dëgjoj po ashtu fjalët e Luizit dhe vlerësimin që i jep medias që po e mbështet se jo pak herë ndodh që personazhet që bëhen pjesë në një program të suksesshëm mendojnë që janë më të rëndësishëm se platforma që i jepet dhe pasi i marrin më të mirën, mundohen ta shkelin. Unë kam një besim të madh që gjërat e mira nuk bëhen vetëm dhe mirënjohja të vlen gjithmonë.”
Reagimi i plotë:
“’Big Brother VIP’ është një nga produksionet më të bukura, por edhe më të vështira që Top Channel ka dhe vetëm grupi që punon për 24 orë në ditë për muaj të tërë mund ta kuptojë. Megjithatë, kohët e fundit, kam ndjerë që tek ta, presioni që vjen me audiencën gjigande që ky program kap, është shpeshherë e vështirë për t’u kapërcyer dhe të sharat e vazhdueshme nga publiku i thjeshtë, por edhe ai mediatik, është i rëndë për t’u përtypur. Të arrish këtë lloj suksesi ka të mirat dhe të këqijat e veta, por ajo që nuk duhet harruar për t’u përmendur është merita.
E shoh që gjullurdia e madhe që krijohet sfumon fjalët e mira që mund të thuhen në përditshmëri sepse kritika ndonjëherë është më e zhurmshme, por dua të marr kohën për të falenderuar publikisht të gjithë grupin e bashkëpunëtorëve të mi në këtë produksion gjigant për punën e palodhur, por edhe për forcën mendore që kanë për të përballuar kritikat, mallkimet dhe hetuesinë publike. Nuk ka qenë e lehtë dhe unë e di.
Ne kemi një moto: ul kokën dhe puno. Nuk përbaltim punën e askujt dhe nuk përfshihemi në morinë e komenteve që vijnë nga komentues të thjeshtë, por edhe kolegë. Fjalët e banorëve në video vijnë si një përqafim në këtë pikë të punës kur audienca është maksimale, por një pjesë e shoqërisë dështon së vlerësuari spektaklin dhe preferon të bëjë atë që rëndomtë e çon vendin tonë në vështirësi; të mendojë që punën e tjetrit di ta bëjë më mirë.
Më lumturon të dëgjoj po ashtu fjalët e Luizit dhe vlerësimin që i jep medias që po e mbështet se jo pak herë ndodh që personazhet që bëhen pjesë në një program të suksesshëm mendojnë që janë më të rëndësishëm se platforma që i jepet dhe pasi i marrin më të mirën, mundohen ta shkelin. Unë kam një besim të madh që gjërat e mira nuk bëhen vetëm dhe mirënjohja të vlen gjithmonë.
Top Channel i ka dyert e hapura për të gjithë që ruajnë të njëjtat vlera në të cilat ai është ndërtuar: dashuria për të bukurën, dëshira për të punuar, shpresa për të adhmen dhe vullneti për të menduar përtej. Në 22 vitet e kaluara, Top Channel ka dëshmuar se si bëhet më së miri një spektakël dhe nën kujdesin e tij kanë lindur dhe janë rritur disa nga personazhet më të dashur shqiptarë që sot janë më të mirët në atë që bëjnë. Janë krijuar po ashtu fenomene sociale që kanë arritur të sfumojnë edhe vështirësitë më të mëdha, duke i dhënë kështu një produksioni televiziv fuqinë për të lehtësuar realitetin në ato orë transmetimi. Kjo meriton një duartrokitje publike sepse ‘Big Brother’ mbaron, por mirënjohja dhe njerëzëlliku mbeten.”