Kryesore Shqipëria, vend pjesërisht i lirë, “Freedom House”: Problem serioz, polarizimi politik dhe...

Shqipëria, vend pjesërisht i lirë, “Freedom House”: Problem serioz, polarizimi politik dhe korrupsioni

Në raportin vjetor të “Freedom House” mbi liritë në botë, Shqipëria vijon të klasifikohet mes vendeve pjesërisht të lira, me 67 pikë, po aq sa një vit më parë në shkallën e vlerësimit deri në 100 pikë.

Në këtë kategori përfshihen 54 nga 195 vende, mes tyre ato të Ballkanit Perëndimor. Amy Slipowitz, nga organizata “Freedom House”, tha për Zërin e Amerikës se problemet më serioze për Shqipërinë mbeten polarizimi i partive politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha Amy Slipowitz, Freedom House.

Sipas raportit, Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e “Freedom House”, që sipas ekspertëve vlerësohet si një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha Slipowitz.

Sipas “Freedom House”, liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë.