Kryesore Celibashi kërkon firmën e Bashës, Bardhi refuzon: Nuk do të ketë asnjë...

Celibashi kërkon firmën e Bashës, Bardhi refuzon: Nuk do të ketë asnjë dokumentacion shtesë

Kryekomisioneri Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KZQ-së është shprehur se, të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor e ka Lulzim Basha, pasi ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit. Ai dha 48 orë afat për të dorëzuar dokumentacion shtesë të firmosur nga Lulzim Basha.

Për këtë ka reaguar Gazment Bardhi, deputet i PD, i cili në një status në Facebook shkruan se nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë.

“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!”, shkruan Bardhi.

Sipas Celibashit, ka një mangësi që lidhet me detyrimin dhe përgjegjësinë personale e kryetarit të PD për të nënshkruar deklaratën. Kjo për faktin se, jo çdo dokument mund të delegohet tek të tretë, ndërsa i dha 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara.

“Ka një mangësi tjetër që lidhet me detyrimin dhe përgjegjësinë personale e kryetarit të PD për të nënshkruar deklaratën. Jo çdo dokument mund të delegohet tek të tretë. Deklarata e kryetarit nuk është kompetencë, është përgjegjësi. Duke qenë përgjegjësi, është tërësisht personale. Duke e konkluduar gjithë këtë arsyetim, vlerësoj që dokumentacioni i paraqitur nga përfaqësuesi i Lulzim Bashës nuk është i plotë, ndaj do t’u jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara. Domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të PD”, tha kryekomisioneri Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.