Sali Berisha komentoi raportimet se ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u takua me kryeministrin Edi Rama në Britaninë e Madhe për të gjetur një marrëveshje pas krisjes së marrëdhënieve mes tyre.
“Mediat njoftojnë se Tigri i Korrupsionit ka udhëtuar për në Londër, për një deal me Edi Ramën.
Nuk mund të konfirmoj as të mohoj këtë udhëtim. Por edhe njëherë, siguroj shqiptarët se Arben Ahmetaj është një nga personat kryesorë të mega-aferës korruptive të djegësve. Por personi më kryesor, njëshi me distancë në këtë aferë, është personalisht Edi Rama”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“E kam përsëritur dhe e përsëris qindra herë, Edi Rama është njeriu që ka firmosur për kontratën me negociata të mbyllura në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit. Ai ka furnizuar fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për sipërmarrjen e tij të djegësave. Edi Rama është përgjegjësi më kryesor, numër një, pasi tetë muaj përpara se të formohej sipërmarrja e Mërtirit dhe Zotos, i akordoi asaj me vendim të Këshillit të Ministrave, bonusin prej 8 pikësh, paçka se ministrja Felaj i kishte thënë se ndërmarrja nuk ekzistonte”.
Sipas tij, Rama është njeriu direkt përgjegjës, sepse dokumentet faktojnë se ai i ka bërë presion Ahmetajt për të firmosur.