Kryesore Berisha i mbyll derën përfundimisht Alibeajt: Bashkë me Bashën po zbatojnë urdhrat...

Berisha i mbyll derën përfundimisht Alibeajt: Bashkë me Bashën po zbatojnë urdhrat e Ramës

Sali Berisha i mbylli përfundimisht derën bashkëpunimit me Enkelejd Alibeaj në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Alibasha, i lidhur në krim me Edi Ramën, siç e kam denoncuar, bashkë me Lul Bravën, po zbatojnë rigorozisht urdhrat e tyre. Nëse më pyet nëse humbet gjë PD, ju garantoj se vetëm fiton. PD ndahet përfundimisht nga një grup, nga disa pengje të shpërfytyruara, të marrë peng nga Edi Rama për lidhjet me krimet, për aktivitetet e tyre kriminale ose të familjarëve të tyre të ngushtë”, tha kryesuesi i Rithemelimit të PD.

“Në këtë aspekt, PD vazhdon si lokomotivë e idealeve, aspiratave më të mira të shqiptarëve. Kjo që unë denoncova tani, pseudoshitjen me 9 milionë, siç shitet dhe blihet televizioni, shitet dhe blihet kryetari i PD i emëruar nga Edi Rama. Këto janë shfaqjet e shëmtuara të një narkoshteti që ka korruptuar dhe ka blerë dhe mban peng me lidhje krimi dhe pagesa individë apo grupe të caktuara. PD del nga kjo betejë shumë më dinjitoze, largohen prej asaj ata që nuk duhej të ishin kurrë në këtë parti, për implikimet e tyre. Kjo është ndarja përfundimtare dhe e bën PD-në shumë më të besueshme. Ata që mund të kenë pasur dyshimin më të vogël te fjalët që kam thënë për ta, tani del si drita e diellit se janë të vërteta”, shtoi ai.

Pasi Gjykata e Apelit në Tiranë riktheu për rigjykim çështjen e drejtuesve të PD, dhe regjistrimin e partisë në zgjedhje me firmën e Alibeajt si kryer të komanduar, ky i fundit dhe disa deputetë të tjerë që e mbështesin, kanë bërë disa herë thirrje që kandidatët e dalë nga primaret të futen në zgjedhje me siglën e PD.