Extra Kasaforta misterioze që do të shpëtojë botën në rast apokalipsi, brenda saj...

Kasaforta misterioze që do të shpëtojë botën në rast apokalipsi, brenda saj ruhen “thesare” edhe nga Shqipëria

Në ngricat e përhershme, në arkipelagun Svalbard në Arktik, gjendet një kasafortë misterioze që ka ngjallur gjithmonë shumë teori konspirative.

Rrethuar nga bora, akulli dhe arinjtë polarë, objekti strehon 1.2 milionë mostra farërash nga çdo cep i planetit. Në rast të ndonjë katastrofe, apokalipsi apo fatkeqësie natyrore, kjo kasafortë do të parandalojë humbjen e përhershme të llojeve të bimëve dhe kulturës bujqësore të zhvilluar nga shoqëria njerëzore për më shumë se 12 000 vite.

Pasi një bankë e ngjashme farash në Alepo u shkatërrua gjatë luftës civile siriane, në vitin 2008 u hap Kasaforta Globale e Farave në Arktikun norvegjez. Ndonëse është e mbyllur për publikun, së fundmi ka nisur një fushatë ku njerëzit mund të hyjnë në një turne virtual për të parë koleksionin e madh të zhardhokëve, orizit, drithërave dhe farave të tjera.

“Po të futesh brenda në kasafortë duket sikur je në një katedrale. Ka tavane të larta dhe zëri jehon. Kur hyni nëpër galeri për të parë koleksionet, temperatura është rreth -18C. Çdo farë mbyllet në një qese alumini hermetike dhe ruhet në kuti, ku mund të klikoni për të marrë informacione”, thotë Lise Lykke Steffensen, përgjegjëse për funksionimin e kasafortës.

Në teori, farat janë të sigurta, ndonëse hyrja e objektit u përmbyt nga uji në vitin 2017, pas një vale të nxehti në Svalbard. Megjithatë, ekspertët thonë se depozitat janë groposur aq thellë në ngrica të përhershme sa do të jenë të sigurta për shekuj me radhë.

Këtë javë, për herë të parë, kasaforta mori disa depozita të reja me fara nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Benini, së bashku me disa varietete luleshtrydhesh të egra nga një institut kërkimor gjerman. Bimë të tilla mund të jenë çelësi për të ndihmuar njerëzimin të ushqehet në rast se ngrohja globale do të arrijë nivele ekstreme.