Aktualitet Vrasja e Pjerin Xhuvanit, gjykata rrëzon kërkesën e prokurorisë për Gazment Bardhin:...

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, gjykata rrëzon kërkesën e prokurorisë për Gazment Bardhin: Nuk mund të thirret në këtë moment

Prokuroria e Elbasanit kërkoi që deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi të thirrej dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Arbër Paplekajt.

Organi i akuzës e kërkoi që të dëshmonte pasi në kohën që në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, Bardhi ishte drejtues politik i qarkut për PD. Por kjo kërkesë e Prokurorisë u rrëzua nga Gjykata me argumentin se akuza duhet ta kërkonte një dëshmi të tillë më herët dhe jo në këtë moment.

Në seancën e radhës në Gjykatën e Elbasanit ishin thirrur si dëshmitarë edhe familjarët e viktimës Xhuvani, por në gjykatë nuk u paraqitën asnjë prej tyre dhe as avokati i familjes.

Pjerin Xhuvani u qëllua për vdekje në 21 Prill të vitit 2021 pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit. Konflikti nisi pas dyshimeve se një person po shpërndante para për përfitimin e votave. Kjo solli përplasje me strukturën për mbrojtjen e votës së Partisë Demokratike pjesë e së cilës ishte edhe Paplekaj.

Ky i fundit ndodhet në qeli si autor i vrasjes ndërsa në hetim janë edhe 8 policisë të Elbasanit mes tyre edhe dy ish-nëndrejtorët Nikollaq Palla dhe Albert Nushi. Këta akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe mosveprim në ditën e ngjarjes për të parandaluar konfliktin e armatosur.