Aktualitet Hetimet për sulmin ndaj Top Channel/ ‘Range Rover’ iu vodh një turisti...

Hetimet për sulmin ndaj Top Channel/ ‘Range Rover’ iu vodh një turisti nga Kosova (Momenti i grabitjes në VIDEO)

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të tjera mbi sulmin e armatosur ndaj televizionit “Top Channel”. Aty mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola.

Blutë e kryeqytetit njoftojnë se automjeti i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i është vjedhur nga autorët një turisti kosovar më korrik të 2020, në fshatin Tale të Lezhës. Targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë natën e ndërrimit të viteve.

Makina u vodh në datë 10 Korrik të 2020, teksa shtetasi kosovar ndodhej me pushime në Shqipëri. Siç duket edhe nga pamjet, vjedhja e makinës luksoze u bë në 1 minutë, dhe për të kryer grabitjen kanë bashkëpunuar dy persona.

Prej asaj kohe siç duket është mbajtur e fshehur nga grupet kriminale, për tu përdorur në atentatin ndaj Top Channel.

“Range Rover”-i u gjet i djegur me dy kallashnikovët e përdorur në krim brenda. Ai është sekuestruar dhe po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave. Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate.

Duke bërë një kronologji të ngjarjes, policia njofton se automjeti i autorëve ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë. Ai ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës.

Menjëherë pas zbrazjes së karikatorëve, autorët janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur. Ata kanë shkuar në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë.