Një grua mbeti e plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Ballagat të Lushnjes. Ajo është Bajame Seneja, 60-vjeçe. Gruaja u dërgua në spitalin e Lushnjes dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani, si autori ashtu sikurse edhe rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten të paqarta. Në një informacion paraprak për ngjarjen policia tha se po punon për kapjen e autorëve.
“Rreth orës 17:20, në fshatin Ballagat, Lushnje, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasja B. S., 60 vjeçe, banuese në Ballagat, Lushnje, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjes dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, tha policia e Lushnjes në një informacion paraprak për mediat.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak orë pas asaj në Kavajë ku mbetën të vrarë 2 persona. Armand Gosa dhe Sali Rexha, të dy 43 vjeç, vranë njëri-tjetrin pas një konflikti pas së cilit dyshohet se qëndronin motivet banale.