Kryesore Rama: Drejtësia t’i japë përgjigje financimeve ruse, “peshkaqenët” kanë hyrë në procesin...

Rama: Drejtësia t’i japë përgjigje financimeve ruse, “peshkaqenët” kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve

Pyetjes për përfaqësuesin e Bankës Botërore për financimet ruse në partitë politike në Shqipëri dhe a rrezikon vendi ynë nga influenca financiare ruse i dha përgjigje kryeministri Edi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët me Emanuel Salinas këtë të martë, Rama u shpreh se drejtësia duhet t’i japë përgjigje kësaj çështje pasi është urgjencë e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare.

“E vërteta e hidhur është që po. E vërteta e hidhur është që këto rublat paskan qenë shejtan i madh. Na kanë marrë shokë, e na kanë marrë shoqe në qafë. Përtej çfarë thoni ju, përtej çfarë mund të komentojmë ne, Banka Botërore nuk hyn këtu, por edhe ne të tjerët kjo drejtësia e re duhet t’i japë përgjigje kësaj sepse është një çështje e një urgjence të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Jemi vend i NATO-s dhe kjo përzierje me konto e me offshore dhe me lidhje kanalesh që çojnë para në drejtim të partive që këtu duan të sjellin lirinë është problem shumë i madh të cilin drejtësia e re duhet ta adresojë me urgjencë. Unë e kuptoj që janë me rëndësi edhe arkat me peshk që mund të merren për të gatuar pa paguar peshkun në fundjavë dhe edhe arkat me peshk nuk duhen marrë dhe duhen dënuar ata që i marrin, por kjo nuk është më punë peshqish, por punë peshkaqenësh që kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes në Shqipëri dhe që kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqene. Më këtë duhet të merret drejtësia se ne mund të themi çfarë të duam, por drejtësia duhet të merret me këtë punë”, tha Rama.

Në konferencën e përbashkët me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas, Kryeministri i vendit Edi Rama ka dhënë disa shifra që tregojnë rritjen ekonomike në vend krahasuar me 2019-ën.

Kreu i qeverisë deklaroi se kanë pësuar rritje rekord që nga të ardhurat për banorë në vit e deri te eksportet që në 2022-in kanë kapur shifrën e 4.1 miliardë eurove.