Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, duke folur pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratuan disa vendime të rëndësishme, foli edhe për rritjen e pagave për zjarrfikësit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe ata të Policisë së Shtetit.
Sipas Çuçit, paga me këtë rritje shkon rreth 14% në nivelet e sektorit të zjarrfikësve, te garda kemi rritje sipas gradave, e ulëta ka rritje 22% e te më të lartat 7 deri në 10%.
“Sot qeveria mori vendim për rritjen e pagave edhe të gjithë sistemit të punonjësve zjarrfikës, të gardës dhe të policisë. Kjo ishte rritja pas 8 muajsh. Paga shkon rreth 14% në nivelet e sektorit të zjarrfikësve, te garda kemi rritje sipas gradave, e ulëta ka rritje 22% e te më të lartat 7 deri në 10%. Te sistemi i Policisë kemi rritje që shkon deri në 25% tek inspektori i parë apo i dytë.
Do të kemi rritje tjetër të këtyre sektorëve. Në vitin 2024 është parashikuar se rritja që do të bëhet në tri faza, rritja do të bëhet deri në 40%. Janë të rëndësishëm këto sektorë sa i takon mbarëvajtjes. Modernizimi në Policinë e shtetit po ecën me ritme të shpejta, do të kapim nivele evropiane me një kohë shumë të shkurtër”, u shpreh në fjalën e tij pas vendimeve të qeverisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.