Pensionistët do të kenë një tjetër bonus prej 5 mijë lekësh, fill para indeksimit të parashikuar për muajin tetor. Zv/kryeministrja Belinda Balluku njoftoi gjatë një takimi me të moshuarit në qarkun e Dibrës, se në shtator do të shpërndahet kësti i radhës.
“Të gjithë ata që e kanë marrë pensionin, besoj se e dini që keni marrë edhe 5 mijë lekë shtesë. Do të merrni edhe këstin e dytë në shtator. Vëmendja e qeverisë është tek ju. Unë e di që duhet të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë”, tha ministrja.
Kontributi i Solidaritetit u aplikua si një taksë e veçantë ndaj prodhuesve të energjisë mbi fitimin e rritur nga kriza e çmimeve, pas rekomandimeve të Komisionit Europian. Qeveria vendosi të shpërndajë të ardhurat nga kjo taksë tek pensionistët, si një nga kategoritë më të prekura nga shtrenjtimi i mallrave.
Balluku rikujtoi se gjatë vitit të kaluar, qeveria indeksoi pensionet në masën 9.5%, ndërsa këtë vit indeksimi do të përcaktohet në fund të shtatorit në bazë të ecurisë së inflacionit.