Këtë të premte, besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë Fiter Bajramin.
Kjo festë vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit me plot 30 ditë agjërimi. Në Tiranë, namazi u fal në sheshin “Skënderbej”.
Në mesazhin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu vuri theksin te largimi i të rinjve nga vendi dhefrenimin e plakjes së popullsisë. “Kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë.”, u shpreh kreu i komunitetit mysliman.
Namazi i Bajramit u fal edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.
All-llahu ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e FitërBajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.