Parada e 9 majit në përkujtim të fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë hitleriane do të zhvillohet sërish pa të ftuar ndërkombëtarë.
Në vitin e dytë të luftës në Ukrainë Rusia përsëri nuk u dërgoi ftesa krerëve të huaj të shteteve dhe qeverive për të marrë pjesë në paradën tradicionale ushtarake të 9 majit.
“Këtë vit nuk kemi dërguar ftesa të veçanta”, konfirmoi Kremlini.
Në festimet për shënimin e 78-vjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore do të marrë pjesë vetëm presidenti i ish-republikës sovjetike të Azisë Qendrore të Kirgistanit, Sadyr Schaparov, i cili gjithsesi do të jetë në atë kohë në Moskë për një vizitë pune.
Zyrtarisht Kremlini e justifikoi mospraninë e krerëve të huaj të shteteve me faktin se ky vit nuk është një përvjetor jubilar. Megjithatë në të kaluarën ka pasur mjaft raste kur presidentë apo kryeministra shtetesh të ndryshme kanë qenë të pranishëm në paradën tradicionale ushtarake të 9 majit në Sheshin e Kuq në Moskë edhe pse ato kanë qenë përvjetorë të thjeshtë.
Pjesë e memories kombëtare të rusëve
Fitorja ndaj Gjermanisë hitleriane bën pjesë në kulturën e memories kombëtare të rusëve. Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë vetë në Luftën e Dytë Botërore, e cila u quajt Lufta e Madhe Patriotike. Konflikti që rrënoi qytete dhe fshatra, shkaktoi vuajtje të jashtëzakonshme dhe la plagë të thella në psikikën kombëtare.
Tradicionalisht në paradën tradicionale ushtarake të 9 majit në Sheshin e Kuq në Moskë parakalojnë më shumë se 10,000 ushtarë dhe paraqiten edhe armatimet më të fundit dhe teknologjia ushtarake e ushtrisë ruse, nga tanket, avionët luftarakë dhe deri tek raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore.
Por sikurse edhe vitin e kaluar moria e armëve që do të përshkojnë Sheshin e Kuq të Moskës mendohet se do të jetë më e vogël për shkak të angazhimit të tyre në luftën ndaj Ukrainës.