Aktualitet E shkuara kriminale e Harry Simpson, mbajti nën vëzhgim Ardian Nikulajn

E shkuara kriminale e Harry Simpson, mbajti nën vëzhgim Ardian Nikulajn

Vijon të mbetet në arrati Harry Simpson, një prej pesë anglezëve të kërkuar për vrasjen e Ardian Nikulajt. Simpson kishte mbërritur në Shqipëri si pjesë e skuadrës të vrasësve me rolin e vëzhguesit të viktimës.

Top Channel duke iu referuar prokurorisë angleze CPS raporton se Simpson, ka precedentë penal dhe dënime në të shkuarën. Ai është banues në Abbey Wood në Jug të Londrës.

Një prej precedentëve penal lidhet me shitjen e drogës në rrugët e kryeqytetit anglez.

Sipas prokurorisë angleze të cilës i referohet Tch, në shkurt të vitit 2015, Simpson, është arrestuar për shitje kokaine më një pastërti prej 89% dhe shitje kanabisi me vlerë 40.000 sterlina. Atëherë 24 vjeç, Simpson po udhëtonte me një makinë tip BMW kur u ndalua dhe u kontrollua nga policia.

Rezultoi se ai po drejtonte një mjet pasi i ishte hequr patenta dhe pa siguracion. Për mos të marrë një dënim maksimal ai pranoi akuzat. Gjykata e dënoi Simpson me 5 vite dhe 3 muaj burg. Paratë ‘cash’ të gjetura në shtëpinë e tij, policia lokale ia dhuroi një organizate të mbrojtjes së kafshëve.

Mbrëmjen e së premtes dhe paraditen e së shtunës për vrasjen e Ardian Nikulaj u arrestuan dhe dolën përpara gjykatës të ekstradimeve në Londër, Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan. E vetmja grua e zbuluar deri më tani si pjesë e grupit të vrasësve Harriet Bridgeman, është arrestuar, paraditen e të shtunës. Ajo do të dalë përpara kësaj gjykate të hënën.