Ekonomi “Rritje elektorale pagash, më pak investime nëpër bashki”, paralajmërojnë ekspertët

“Rritje elektorale pagash, më pak investime nëpër bashki”, paralajmërojnë ekspertët

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, qeveria po shpërblen me rritje pagash 25 mijë punonjës të pushtetit vendor, e barabartë me gjysmën e administratës vendore. Çdo punonjës i njësive të qeverisjes vendore pritet të marrë të paktën 6,000 lekë shtesë page në muaj, e cila është premtuar të rritet më tej gjatë vitit 2024. Ekspertët paralajmërojnë pasoja për këtë nismë që sipas tyre ka qëllime elektorale. Mbulimi i pagave do të kërkojë burime financiare shtesë, çka do të thotë që bashkitë do të duhet t’i shkurtojnë shpenzimet në zëra të tjerë. Me shumë gjasa, kjo do përkthehet në më pak investime nga bashkitë.

Esmeralda Topi – Faktoje.al

Qeveria ka vendosur të shpërndajë 5 miliardë lekë të ardhura shtesë për pagat e punonjësve të pushtetit vendor në harkun e dy viteve, në kuadër të reformës për rritjen e pagës mesatare në Shqipëri.

25 mijë punonjës të administratës vendore do të marrin të paktën 6,000 lekë më shumë në pagën e çdo muaji duke nisur nga ky muaji maj. Kjo është kategoria e dytë me numrin më të lartë të përfituesve nga rritja e pagave, pas mësuesve që llogariten në 36,570 persona në rang vendi.

Reforma e rritjes së pagave prek më shumë se gjysmën e punonjësve të administratës vendore, konkretisht 54% të totalit të të punësuarve pranë njësive të qeverisjes vendore. Rritja planifikohet të shtrihet në dy vite e ndarë në nivelin 17-30%.

Në vitin e parë rritja do të jetë minimalisht 6,000 lekë për çdo punonjës dhe kosto vjetore përllogaritet rreth 1.8 miliardë lekë. Ndërsa vitin e dytë (2024) parashikohet rritje edhe më e ndjeshme dhe efekti financiar vjetor llogaritet në 3.2 miliardë lekë. Sipas qeverisë, fatura e financimit të rritjes së pagave do të përballohet nga rritja e nivelit të transfertës së pakushtëzuar nga buxheti qendror si dhe nga të ardhurat e vetë njësive të qeverisjes vendore.

Çfarë mendojnë ekspertët?

Ekonomistët dhe ekspertë të pushtetit vendor e shohin rritjen e pagave si nismë me qëllime të elektorale, teksa vënë në pikëpyetje mënyrën e sigurimit të fondeve për të përballuar rritjen e pagave, veçanërisht nga njësitë e qeverisjes vendore.

Kryetari i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali thotë se rritja e pagave në tërësi fsheh qëllime të dukshme elektorale.

“PA DISKUTIM QË POLITIKA E RRITJES SË PAGAVE NË MUAJIN E FUNDIT TË FUSHATËS ELEKTORALE ËSHTË KRYEKËPUT NË FUNKSION TË VOTAVE. QEVERIA KISHTE TË GJITHA MUNDËSITË TË BËNTE RRITJE PAGE (QË NË TË VËRTETË ËSHTË E DOMOSDOSHME PËR ADMINISTRATËN E ÇDO NIVELI) NË FUND TË VITIT 2022 KUR MIRATOI BUXHETIN E VITIT 2023.”, SHPREHET HAXHIMALI TEKSA THEKSON SE NËSE QEVERIA S’DO TË KISHTE QËLLIM VOTËN DUHET TË KISHTE PRITUR QË REFORMËN E PAGAVE TA REALIZONTE PAS 14 MAJIT”, thotë Agron Haxhimali, Shoqata e Bashkive

“Në përfundim, faktet dhe argumentat çojnë në qasje të një akti qeverisje për atraksion votash.”, argumenton Haxhimali për Faktoje.

Edhe profesor Selami Xhepa ndan të njëjtin vlerësim. “Që ka një qasje elektorale është e dukshme dhe nuk ka pikën e dyshimit e gjitha si inisiativë, por pjesa e pushtetit vendor pa asnjë dyshim, sepse është interesi material i drejtpërdrejtë. Nuk diskutohet që po.”, thotë Xhepa, duke shtuar se mbetet e paqartë se si do të mbulohet e gjithë fatura financiare e reformës.

“NË GJYKIMIN TIM E GJITHË KJO HISTORI ËSHTË ABSURDE. FAKTI QË EDHE ATA VETË NUK KANË ASNJË LLOJ SIGURIE DHE NUK ËSHTË ASNJËRI NË GJENDJE QË TA MBROJË ME SHIFRA REFORMËN, E VË NISMËN NË PIKËPYETJE TË MËDHA. NGA 83 MILIARDË QË SHPENZOJMË NE NË TOTAL PËR PAGAT DHE SIGURIMET SHOQËRORE DO T’I SHTOJMË DHE KËTO 40 MILIARDË. I BIE NJË SHTESË GATI 50% E FONDIT, QË DO TË THOTË SE JANË SHUMË PARA PËR NJË VIT DHE KJO ËSHTË POLITIKË QË DO TË VAZHDOJË. NDAJ DUHET SAKTËSUAR SE NGA DO TË VIJNË KËTO RIALOKIME, CILIT SEKTOR DO T’I HIQEN?”, thotë Selami Xhepa.

Ndërsa Merita Toska, eksperte e politikave vendore në Coplan e vë theksin tek një tjetër problematikë, situata financiare e bashkive.

“JANË PREMTIME QË REALISHT MUND TË SHKAKTOJNË SHUMË PROBLEME NË QENDRUESHMËRINË FINANCIARE TË BASHKIVE, PASI KJO NUK SHOQËROHET ME RRITJE PRODUKTIVITETI. MBULIMI PAGAVE DO TË KËRKOJË BURIME FINANCIARE SHTESË, ÇKA DO TË THOTË QË BASHKITË DO TË DUHET T’I SHKURTOJNË SHPENZIMET NË ZËRA TË TJERË PËR TË MBULUAR PAGAT QË PËR PASOJË, ME SHUMË GJASA, DO PËRKTHEHET NË MË PAK INVESTIME NGA ANA E BASHKIVE, MUNGESA E INVESTIMEVE SJELL PAK ZHVILLIM E KËSHTU ME RADHË”, thotë Merita Toska.

“Peshku në det, tigani në zjarr”

Po teksa të gjithë punonjësit e administratës publike po presin shtesën e parë të pagave duke nisur nga ky muaj, sikurse u premtua nga Kryeministri Rama, komisionet parlamentare që duhet të kishin miratuar projektligjin për rritjen e pagave, ende nuk kanë nisur diskutimet.

“Ligjet ishin parashikuar të diskutoheshin në seancë parlamentare ditën e enjte dhe siç ju thashë deputetë të dy krahëve më informuan që do të bëjnë propozime. Unë gjykoj dhe i propozoj komisionit për shkak të disa propozimeve që unë nuk i kam parë të zbardhura po i gjej të arsyeshme dhe këtu nuk them njërin krah, po i referohem të dy palëve, do t’i propozoja komisionit shtyrjen. Përpos kësaj edhe Komisioni i Ligjeve që ishte komision në cilësinë e dhënies së mendimit nuk e ka zhvilluar mbledhjen ditën e sotme. Ndaj të nderuar kolegë deputetë është një çështje që unë mendoj që meriton një shqyrtim akoma dhe më të thellë.”, lajmëroi në mbledhjen e 25 prillit, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Eduard Shalsi.

Kjo nënkupton se drafti do të mbetet sirtarëve të Kuvendit deri pas 14 majit. Me përfundimin e zgjedhjeve vendore, komisionet do të rinisin diskutimet që do t’i hapin rrugë miratimit të rritjes së pagave.

Nga reforma e rritjes së pagave në administratën publike do të përfitojnë 130,330 punonjës nga 184,396 mijë në total. E thënë ndryshe, rritja e pagave do të prekë 70% të sektorit publik në vend.