Politika Rama: S’ka shqiptar që ta hajë se Berisha u shpall Non Grata...

Rama: S’ka shqiptar që ta hajë se Berisha u shpall Non Grata se e kam bërë unë, se kam lëvizur Amerikën

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Mat, kishte si fokur kryesor Sali Berishën dhe shpalljen e tij ‘Non Grata’ nga SHBA. Mes akuzave të Berishës, se kjo është një vepër e tij, kryeministri Edi Rama e ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk “ka gisht”. Për Ramën, Berisha është një njeri i padëshirueshëm nga partnerët ndërkombëtar, e për rrjedhojë i tillë duhet të jetë edhe për shqiptarët.

“Ultra komunist, por jo nga ato të ndershmit që për karrierë dhe pushtet janë gati të ndërrojnë komplet maskën dhe ajo maskë i është çjerrë nga SHBA dhe i është bërë një maskë e papërdorshme dhe e padëshiruar në SHBA, e pakonceptueshme se si ka akoma njerëz të ndershëm për hir të së vërtetës. Për ata njerëz që në emër të së shkuarës vazhdojnë të mbajnë veten peng, të reflektojnë. Gjyshërit demokrat do rrotullohen në varr kur mbesat dhe nipërit e tyre do u japin votën një force që është kthyer në pengun e një njeriu të vetëm për hallet personale dhe problemeve me drejtësinë, i është dhënë besim nga ndërkombëtarët dhe i turpëroi të gjithë. Lëreni mbrapa atë që është i dënuar që të jetë mbrapa. S’ka shqiptar që ta hajë se u shpall Non Grata se e kam bërë unë, se kam lëvizur Amerikën, sikur ta kisha këtë fuqi, nuk do kërkoja vota për Gonin, SHBA nuk janë kompani që kontraktohen me çfarëdo qoftë”, tha Rama.

Teksa prezantoi kandidatin socialist,  Agron Malaj, Rama i ftoi qytetarët që të votojnë për PS, pasi sipas tij vetëm kjo forcë politike është në shërbim të qytetarëve. Për të përforcuar këtë, Rama solli si shembull Shkodrën, i cili tha se nuk është pastruar prej kohësh.

“Për ca do ia jepni votat, se këtu vota kërkohet për të pastruar, për të ndriçuar rrugën, për të mirëmbajtur, për shërbim cilësor në kopshte, çerdhe, për të pasur ndërmarrje jo nga ato që mbushen me njerëz për të bërtitur “Rama ik”. Si do e mbajnë pastër qytetin se nuk mbajnë asnjë qytet të pastër, ja ku e keni Shkodrën, i vetmi qytet ku vazhdojnë kazanët mbulohen nga plehrat”, shtoi ai.

Një përgjigje e ka pasur edhe për akuzat që kanë mbërritur nga opozita për këngëtarët që kanë mbështetur kandidatët socialistë.

“Kanë filluar sulmin për këngëtaren që merren me Lali Erin, prit kur të sulmojnë pemët se po i mbjellin ne”, tha ai.

Për Ramën, opozita i do Bashkitë si pengje për të “sulmuar qeverinë”, por thekson se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.