Bota Masakër në një shkollë fillore në Beograd, 14-vjeçari vret 8 fëmijë dhe...

Masakër në një shkollë fillore në Beograd, 14-vjeçari vret 8 fëmijë dhe rojen

Një ngjarje e rëndë raportohet mëngjesin e kësaj të mërkure në një shkollë fillore në Beograd të Serbisë.

Mediat vendase shkruajnë se të paktën 9 persona kanë mbetur të vrarë, pasi një 14-vjeçar i identifikuar si Kosta K. hapi zjarr në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, rreth orës 08:40. Novosti shkruan se viktimë nga të shtënat ka mbetur roja i shkollës dhe 8 fëmijë.

Autoritetet policore kanë ndaluar 14-vjeçarin i cili dyshohet se ishte nën efektin e drogës. Ai dyshohet se qëlloi disa herë me armën e të atit.

Të shtënat masive janë tejet të rralla në Serbi. Megjithatë, herë pas herë ekspertët kanë paralajmëruar për numrin e lartë të armëve në vend.

Gjithnjë sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, nga ngjarja ka edhe të paktën 15 persona të plagosur, disa në gjendje të rëndë për jetën.

Ndërkohë, kreu i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, Millan Nedelkoviç, tha për mediat se nxënësi e kishte futur armën në çantën e shpinës dhe se kishte hapur zjarr në korridorin e shkollës. Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

Në vendngjarje shkuan Ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiç dhe Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç. Një reagim pati edhe sindikata e Punëtorëve të Arsimit në Serbi që u shpreh se tragjedia në shkollën fillore është “dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune”.