Duke i thënë lamtumirë prillit të zi (2 fitore në 9 ndeshje), muaji maj nis në mënyrën më të mirë për Juventusin.
Bardhezinjtë kanë mposhtur me rezultatin 2-1 Leçen në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Seria A.
Sfida u zhbllokua në minutën e 15’ nga Paredes me një supergol nga goditja e dënimit. Ky ishte edhe goli i parë ne Serie A i kampionit të botës. Në të 37’ Cisai riktheu baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë.
Por festa nuk iu zgjati shumë për shkak se Vlahoviç shënoi golin e dytë për bardhezinjtë. Ndeshja e fundit ku ai kishte shënuar gol ishte më 7 shkurt. Në pjesën e parë u anuluan edhe dy gola nga skuadrat për pozicion jashtë loje.
Pjesa e dytë rezervoi shumë emocione, por jo gola.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e 2-të me 63 pikë ndërsa Leçe pozicionohet në vendin e 16-të me 31 pikë.