Kryesore Projekti për stadiumin e ri të Durrësit, Rama: Do të kemi një...

Projekti për stadiumin e ri të Durrësit, Rama: Do të kemi një Akademi Sportive për gjithë rajonin

Këtë të enjte është prezantuar projekti për stadiumin e ri të Durrësit, ku finaliste janë 3 studio të njohura të arkitekturës për të konkurruar më tej.

I pranishëm ishte dhe Kryeministri i vendit Edi Rama dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Në fjalën e tij Rama u shpreh optimist për të ardhmen e Durrësit në aspektin sportiv dhe jo vetëm.

“Më vjen shumë mirë që sot kurorëzojmë një proces të nisur prej kohës të nisur si një dëshirë, pastaj të shpallur si pjesë të programit dhe pastaj si konkurs ndërkombëtar ku morën pjesë shumë studio dhe tanimë mes 3 studiosh prestigjioze për stadiumin, i cili është një qendër e re e qyetit ku synimi është që të kemi natyrisht kushtet optimale për futbollin dhe për të pasur një qendër plot jetë 24 orë në 7 ditë të javës. Ku të ndërthuren të gjitha rrugët e jetës për komunitetin durrsak dhe atraksione për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin.

Uroj që sot do kemi një projekt spektakolar ku kemi pasur 3 alternativa, por natyrisht kemi zgjedhur njërën prej tyre si në Korçë, dua të falënderoj finalistët që i kushtuan energji, kohë dhe angazhim këtij projekti. Dua të falendroj shumë dhe anëtarët e jurisë dhe miqtë që na kanë ndihmuar në këtë vendimmarrje që janë personalitete në fushën e arkitetkurës e urbanistikës. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Durrësit që ne jemi shumë të vendosur të bëjmë shumë më tepër. Durrësi është në një moment fantastik kthese dhe patjetër ka përpara një të ardhme shumë domethënëse.”

Kreu i qeverisë theksoi se Akademia e Manchester City do të përqendrojë të gjitha talentet kombëtare në këtë qytet. Ai theksoi se Shqipëria do të jetë qendër për rajonin e Ballkanit në këtë aspekt, duke përmendur dhe ngritjen e grupit “Durrës City”.

“Në fushën e sportit ne duam të bëjmë shumë më tepër, projekti tjetër është shumë ambicioz për ta kthyer Durrësin në një vend të talenteve kombëtare, akademia e Manchester City këtë synon, të jemi qendër për të gjithë rajonin, dhe nëse do të bëhet një Akademi e dytë në Ballkan ne do jemi partnerë, gjë që besoj është goxha domethënëse.

Hapi paralel është që ne do ngremë grupin tonë këtu “Durrës City”, do të jetë një bërthamë që do zhvillohet në të ardhmen edhe si një skuadër më vete. Ajo që duhet të theksohet është se Akademia dhe Shkolla e Futbollit u shërben të gjitha klubeve në Shqipëri, nuk është ekskluzive për talente që i përkasin detyrimisht Manchester City-t. Pastaj nëse ka talente që u përkasin grupeve të tjera dhe Manchester City është i interesuar ata zhvillojnë bisedime me ta.

Numri i të rinjve, i fëmijëve, djemve të rinj që janë të regjistruar në sistemin e futbollit në Shqipëri, në atë sistem që ende ka nevojë të strukturohet dhe atyre që janë regjistruar në sistemin evropian është marramendës, janë mbi 100 mijë shqiptarë të regjistruar në sistemet futbollistike evropiane.

Ne besojmë shumë që talenti në familjen tonë kombëtare përbën bazën e një perspektive fantastike për imazhin, ekonominë, turizmin dhe patjetër që ne do të vazhdojmë më tutje me Federatën për krijimin fushave të futbollit, kemi folur për këtë në çdo njësi administrative dhe pak nga pak edhe komplekse më të artikuluara. Shumë faleminderit për praninë tuaj, ju siguroj që nuk do mërziteni sepse finalet e konkurseve të arkitekturës janë spektakël, është kënaqësi për syrin dhe një ushtrim i mirë për mendjen.”