Kulturë Nuk ishte egjiptiane dhe as shumë e bukur – Si dukej në...

Nuk ishte egjiptiane dhe as shumë e bukur – Si dukej në të vërtetë Kleopatra?

Elizabeth Taylor në rolin e saj si Kleopatra në vitin 1963

A dukej sundimtarja e Egjiptit si Elizabeth Taylor apo si ylli i Netflix, Adele James? Nuk i ngjante asnjërës thonë historianët dhe ne ndoshta nuk do ta dimë kurrë të vërtetën. Seriali i ri për Kleopatrën ndez debat

Kleopatra shkakton sërish tërmet. Më shumë se 2 mijë vjet pas vdekjes së saj, gruaja që fundosi Republikën Romake po shkakton sërish një rrëmujë diplomatike.

Muajin e kaluar, ministria egjiptiane e Antikiteteve nisi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj Netflix mbi serialin e ri “Queen Cleopatra”. Sipas deklaratës së tyre, seriali në tërësi ishte një falsifikim i historisë egjiptiane.

Referenca e botës moderne: Elizabeth Taylor si Kleopatra në filmin e Joseph L Mankiewicz të vitit 1963

Rolin e mbretëreshës famëkeqe e kanë luajtur disa aktore të njohura, si ylli britanik Adele James, aktorja izraelite Gal Gadot etj.

Diskutimi qëndron dhe tek pamja fizike e Kleopatrës. Si Netflix, ashtu dhe qeveria e Egjiptit nuk e di, gjithçka dimë vjen nga fantazia e shkrimtarëve si Plutarku, Shekspiri, George Bernard Shaw.

Profesori i Egjiptologjisë dhe Zëvendës Kancelari në Universitetin e Lincoln, Toby Wilkinson thotë: “Faktet aktuale që kemi për Kleopatrën, dëshmitë bashkëkohore, janë mjaft të rralla. Shumica e asaj që ne kemi janë pikëpamjet e njerëzve të tjerë për të”.

Sot thuajse të gjithë e kujtojnë si një mbretëreshë me bukuri mahnistëse, joshëse, e që vrau veten me një gjarpër. Por kjo sipas studiuesve ka gjasa të jetë më shumë trillim se sa fakte historike. Pasi thuhet se madje ajo nuk ishte në të vërtetë egjiptiane.

Ptolemenjtë, dinastia sunduese e së cilës ajo ishte anëtare, u vetëquajtur si egjiptiane në monumentet publike, në fakt ishin pushtues të huaj që ruanin rreptësisht integritetin etnik të linjës së tyre, e deri te martesat e shpeshta me incest.

Sipas biografit Stacy Schiff, etnikisht Kleopatra nuk ishte egjiptiane. Ptolemenjtë ishin në fakt nga Maqedonia, një shtet i fuqishëm në skajet e asaj që ne tani e quajmë Greqia e Lashtë. Aleksandri i Madh, i cili pushtoi Egjiptin në vitin 332 para Krishtit, lindi atje. Në luftën për pushtet pas vdekjes së Aleksandrit, një nga gjeneralët e tij më të fuqishëm, Ptolemeu, pushtoi Aleksandrinë dhe e shpalli veten Faraon. Pasardhësit e tij sunduan atje për tre shekujt e ardhshëm dhe Kleopatra ishte e fundit e nga kjo dinasti.

Fytyra e Kleopatrës në një monedhë

Wilkinson thotë se duke u bazuar te pamja e maqedonasve në atë kohë, Kleopatra siç është paraqitur në kohët moderne nuk ka aspak lidhje me origjinalen. Hamendësohet se ajo ka qenë e bardhë.

Perceptimi se ajo ishte një grua jashtëzakonisht e bukur e ka zanafillën nga historiani romak Cassius Dio, i cili thuhet se është ndikuar nga politika për këtë përcaktim.

Kleopatra e çoi një dinasti drejt fatkeqësisë. Kur ajo mori fronin, në moshën 21-vjeçare nuk arriti të mbante siç duhet pozicionin e saj, thonë historianët. Lidhjet e saj të dashurisë gjithashtu janë shumë të diskutuara, si ajo me Jul Cezarin apo Mark Anthony. Por këto dy lidhje janë dy fakte të pakontestueshme sa i takon historisë së saj, pasi ajo kishte fëmijë me të dy burrat. Ishte marrëdhënia e Kleopatrës me Mark Anthony që i bëri rrëfimet e hershme historike të jetës së saj kaq të ndikuara nga politika. Kleopatra mbajti anën e Antonit në luftën civile midis tre Triumvirëve që sunduan perandorinë pas Cezarit, e cila rezultoi në vdekjen e të dyve, humbjen e Egjiptit nga Roma dhe pranimin e Octavius ​​Cezarit në perandor në vitin 27 para Krishtit.

Gal Gadot në Wonder Woman 1984

Historianët romakë që shkruan tregimet e para të Kleopatrës, po shkruanin nga ana tjetër e historisë

Por sa më shumë diskutohen tezat e ndryshme të historianëve, aq më e zbehtë është ideja për bukurinë e saj të mahnitshme. Wilkinson thotë se duke parë statujat apo monedha shumë të vjetra që kanë portretin e saj, dallohet një hundë dhe mjekër e theksuar, tipare këto që nuk konsideroheshin të bukura në estetikën e shekullit të 21.

Adele James në rolin e Kleopatrës në Netflix

Rrëfimi më i afërt me shkrimin bashkëkohor për paraqitjen e Kleopatrës vjen nga historiani romak Plutarku, i cili thotë: “Bukuria e saj, siç na thuhet, nuk ishte në vetvete aspak e pakrahasueshme.”

“Ajo konsiderohej e fuqishme dhe sigurisht kjo e bëntë tërheqëse”, thotë Wilkinson.

“Pse Jul Cezari lundroi në Nil me Kleopatrën? Jo domosdoshmërisht sepse ajo ishte e bukur në një kuptim konvencional, por sepse mbante çelësat e Egjiptit. Kjo ishte ajo që e bënte atë joshëse.”

Ai shton: “Ideja që mund të bësh një film të Kleopatrës që është disi ‘i saktë’… Dua të them, saktësia e kujt? Versionin e kujt për të vërtetën po ndiqni?” thotë Ëilkinson.

Është një pyetje që si Netflix ashtu edhe qeveria egjiptiane do të bënin mirë ta mendonin. Për shekuj me radhë, Kleopatra është përplasur nga fuqitë konkurruese, imazhi i saj është formuar për t’iu përshtatur agjendave të kohës. Në një farë mënyre, seriali i Netflix është vetëm i fundit në një varg të gjatë mitbërësish për të ndezur mitin e Kleopatrës – në kurriz të sundimtares të jetës reale./ Telegraph