Sport Dybala, në udhëkryqin e madh të karrierës: Mes Del Pieros dhe Madridit…

Dybala, në udhëkryqin e madh të karrierës: Mes Del Pieros dhe Madridit…

Paulo Dybala ka mbërritur në një udhëkryq të madh, pas një nga javët më të rëndësishme dhe impenjative – në aspektin profesional – të aventurës së tij bardhezi (e nisur në vitin 2015). Një udhëkryq  ku duhet të gjejë rrugën e duhur dhe jo të humbasë. Presioni po rritet dhe tifozët tashmë janë lodhur: duan një futbollist të denjë për numrin “10” që mban pas fanelle. Vetëm dy gola në 19 ndeshje janë shumë pak për argjentinasin, që sezonin e shkuar e mbylli me plot 22 gola.

Sigurisht, ardhja e Ronaldos e ka bllokuar disi psikologjikisht dhe në hapësira për të fantazuar, por nuk mund të jetë justifikim.

Juventusi e përkëdhel, trajneri Allegri e mbron dhe ambjenti e do. Sirenat e Real Madridit janë bërë të shpeshta dhe të forta, por zemra e argjentinasit thotë “Juve”. Gati një tjetër superkontratë, por sidomos një mundësi për të fituar të drejtën e shiritit të kapitenit në të ardhmen, pasi Chiellini të largohet dhe t’ia dorëzojë. Duhet që lojtari të vendosë nëse dëshiron të bëhet lider dhe të zërë vendin e Del Pieros te Juventusi, apo të largohet pasi nuk mund të përballet me përgjegjësitë…

Udhëkryqi është i madh, por zgjidhjen duhet ta gjejë vetë 25-vjeçari.