Kryeministri Edi Rama ishte në Lushnje pasditen e sotme për të mbyllur fushatën elektorale në këtë qytet.
Teksa hodhi akuza ndaj opozitës, kryesocialisti Rama mori si shembull Himarën, ku për koalicionin “Bashkë Fitojmë” kandidon Fredi Beleri. Për këtë të fundit u shpreh se është shëmbëlltyrë e qarqeve më të errëta folk-nacionaliste të së shkuarës në Greqi.
Rama u ndal sërish tek deklarata e Belerit për helenizimin e Himarës. Sipas Ramës, Beleri është “analfabet funksional, nuk di as të flasë, nuk di as të numërojë, por goja e tij është në gjendje të artikulojë pikërisht ato gjëra të zeza që kaq shumë i ka vuajtur edhe miqësia jonë me Greqinë, që kaq shumë i kanë vuajtur patriotët shqiptarë në të shkuarën”.
Sipas kryeministrit, Beleri është hedhur në garë nga ata që i quan “faqja më e zezë e Shqipërisë”.
“Nëse doni një shembull tjetër të faqes së tyre të zezë shikoni Himarën. Shikoni çfarë ndodh në Himarë. Shikoni çfarë kanë bërë në Himarë “non grata” bashkë me Liken, këta patriotë të mëdhenj. Këta patriotë që i dëgjoni të mbrojnë Kosovën nga unë. Këta patriotë që luftojnë Serbinë. Këta patriotë që mbrojnë Ballkanin. Shikoni çfarë bëjnë se në mbrojtjen e Kosovës dhe luftën me Serbinë ata nuk kanë asgjë në dorë dhe bëjnë vetëm broçkulla tamam sepse nuk kanë gjë në dorë. Në të vetmin rast që kishin diçka në dorë që të mos ua jepnin të drejtën atij drurit që ka dalë kandidat atje në Himarë dhe që në paturpësinë më të madhe, në papërgjegjshmërinë më të madhe, shëmbëlltyrë e skutave më të thella të së kaluarës që nuk i gjen më sot në Greqi, të qarqeve më të errëta folk-nacionaliste të së shkuarës që thotë do helenizoj Himarën. Do helenizojë Himarën, ai! Do vë në vend thotë padrejtësisë 60 vjetëve. Nuk e di se si i numëron se është analfabet funksional, nuk di as të flasë, nuk di as të numërojë, por goja e tij është në gjendje të artikulojë pikërisht ato gjëra të zeza që kaq shumë i ka vuajtur edhe miqësia jonë me Greqinë, që kaq shumë i kanë vuajtur patriotët shqiptarë në të shkuarën. Dhe sot na del ky fant spathi në Himarë, i hedhur atje si kartë bixhozi nga faqja më e zezë e Shqipërisë, ‘Sal-Like floriri’. Të dy bashkë. Njëri më katran se tjetri. Dhe këtë e them këtu në Lushnje sepse të djathtët e Lushnjes janë njerëz shumë patriotë, të djathtët e Fierit janë shumë patriotë. Dhe ju them atyre, po mirë a e kuptoni se deri ku ka vajtur puna? A nuk ndjeni ju asnjë përgjegjësi në rast se shkoni dhe u jepni votën këtyre faqezinjve dhe faqezinj nuk u them unë, por ua thotë i gjithë komuniteti i miqve dhe aleatëve tanë sepse ua ka vënë vulën e damkës së të padëshiruarit m’u në ballë siç ua vini ju fermerët deleve këtu, njësoj. Janë të matrikulluar si persona të padëshirueshëm”, u shpreh Rama.
Në një intervistë të tij të bërë publike të martën, Beleri pyetjes së gazetarit se çfarë do të bëjë për helenizimin e Himarës i përgjigjet se “është jetike për helenizimin e Himarës që t’i tejkajojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi dhe se zgjedhja e tij do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë”.
Pas zhurmës së deklaratës, Beleri u detyrua të reagonte këtë të mërkurë me anë të një deklarate, duke mohuar që të ketë thënë fjalën helenizim dhe duke sqaruar se disa media kanë bërë përkthim të gabuar, pasi ai ka përmendur togfjalëshin “komunitet grek”.