Një 30-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi mashtroi një shtetase duke i shitur asaj, çanta si të markave origjinale, të kontrabanduara, kundrejt çmimit 36 000 euro.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se gruaja e arrestuar kontrabandonte çanta si të markave, dhe më pas i shiste ato online në Shqipëri kundrejt çmimeve të konsiderueshme.
Materialet në ngarkim të saj i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brand”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja: E. M., 30 vjeçe, banuese në Tiranë.
30-vjeçarja dyshohet se i ka shitur një shtetaseje, 9 çanta si të markave, kundrejt çmimit 36 000 euro, me pretendimin se ishin origjinale. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. kontrabandonte çanta si të markave, në Shqipëri, dhe më pas i shiste ato online, me çmime të konsiderueshme”, njofton policia.