Kryesore Pas 20 vitesh një president polak në Shqipëri, Duda: Bashkëpunim ekonomik dhe...

Pas 20 vitesh një president polak në Shqipëri, Duda: Bashkëpunim ekonomik dhe mbështetje për anëtarësim në BE

Një fillim i bashkëpunimit dinamik mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike e ka konsideruar vizitën e tij në vendin tonë, presidenti i Polonisë Andrzej Duda, me ftesë të presidentit Begaj.

Në vizitën e parë pas 20 vitesh që një president polak viziton vendin tonë ai falënderoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

“Është një ngjarje e rëndësishme është një sinjal rigjallërie në marrëdhëniet shqiptaro-polake dhe në zhvillimet ekonomike të fundit. Një fillim i bashkëpunimit dinamik mes dy vendeve. Shpresoj që Shqipëria do të jetë anëtare e BE. Ju falënderoj për qëndrimin dhe mbështetjen politike humanitare ndaj Ukrainës, praninë ushtarake në krahun lindor të NATO-s si edhe pozicionin e saj. Shqipëria ka vepruar me fakte konkrete sipas rregullave . Agresioni duhet të mbarojë vetëm në një mënyrë me largimin e forcave ruse nga territori i pushtuar i Ukrainës. I kërkova presidentit të mbështesë në mënyrë të plotë realizimin e vendimeve të samitit në Madrid dhe për të forcuar sigurinë e krahut lindor NATO. Deklarova mbështetjen tonë për anëtarësimin në BE dhe i thashë presidentit se më 1 maj kemi pasur një konferencë shtypi me kryeministrin ku theksuam afrimin e kryesisë së Polonisë në BE, e cila do të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2025 dhe kemi thënë qartë prioritetet. Përveç sforcimit të sigurisë së Europës, prioritet do të kemi anëtarësimin në BE për Ukrainën, Moldavinë, dhe Ballkanin Perëndimor midis tyre është edhe Shqipëria”.

Sipas tij Shqipëria meriton të pranohet sa më shpejt në BE se reformat po realizohen në mënyrë dinamike.

“Jemi përkrahës të dyerve të hapura në BE edhe shoqëria polake ka bërë shumë sakrifica. Reformat po realizohen Shqipëria po zhvillohet në mënyrë dinamike dhe e meriton të pranohet sa më shpejt në BE. Është në interesin tonë dhe të BE-së. Këtë anëtarësim do ta mbështesim me të gjithë forcat tona”.

Në konferencën për shtyp me presidentin Begaj ai foli për forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Shqipërisë pas BE-së në nismën e 3 deteve.

“Biseduam për çështjet ekonomike, një nga këto është pjesëmarrja në forumin polako-shqiptar kanë ardhur sipërmarrës polakë që do të paraqesin ofertat e tyre. Shpresoj që efekti i këtyre takimeve do të jenë kontratat e reja, forcim i lidhjeve ekonomike dhe shkëmbimit tregtar që po rriten nga viti në vit. Kemi potencial të jashtëzakonshëm. Është 200 milionë euro ky shkëmbim tregtar. Kur të bëhet anëtare e BE, Shqipëria do të forcojë lidhjet me Poloninë. Shqipëria në të ardhmen kur të jetë anëtare e BE, do të jetë anëtare e iniciativës së 3 deteve dhe që sot shprehën dëshirën për bashkëpunim”.

Ai tha se do të rritet edhe numri i turistëve polakë që vizitojnë vendin tonë në vitet e ardhshme.

Temë e bisedës ishte dhe Kosova. “Kemi njohur pavarësinë e Kosovës kemi hapur përfaqësi konsullore, e kemi mbështetur për liberalizmin e vizave dhe e kemi parasysh çështjen e Kosovës”, tha Duda.

Pas konferencës të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.