Partia Socialiste e mbylli fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 Majit me anë të një tubimi në qytetin e Durrësit. Kryesocialisti Edi Rama në fjalën e tij u bëri apel shqiptarëve, sidomos atyre që nuk e kanë ndarë mendjen, që të votojnë si Durrësi më 14 Maj. Për ata që nuk votojnë dot PS-në në fletën e votimit, ai u bëri thirrje që të votojnë kandidatët e selisë rozë dhe më pas t’i gëzohen të ardhmes.
“Prandaj këtu nga Durrësi i bëj apelin e fundit të gjithë shqiptarëve që do të votojnë më 14 Maj dhe ju them atyre që akoma nuk e kanë ndarë mendjen, shikoni Durrësin dhe bëni atë që bën Durrësi sepse Durrësi nuk ka qenë kurrë një aktor i flaktë, por ka qenë gjithmonë një lojtar shumë i mençur. Durrësi nuk është sulmues, Durrësi nuk është as portier, nuk është as mbrojtës. Durrësi është mesfushori më i mirë që ka skuadra shqiptare e 61 bashkive. Kur Durrësi e hedh topin për të bërë golin nuk gabon asnjëherë. Prandaj hidheni votën tek Partia Socialiste dhe tek kandidatët tanë. Ose hidheni votën tek kandidatët tanë dhe nëse nuk e hidhni dot te Partia Socialiste, pasi të votoni Anin ikni nga qendra e votimit dhe gëzojuni Durrësit të ri, të së ardhmes, me Anin, me PS-në dhe me gjithë këta njerëz të bukur që janë mbledhur këtu me flamujt kuqezi. Dua që imazhi i fundit i kësaj maratone të jetë ky shesh kuqezi. Ngrijini të gjithë flamujt. Mos lini asnjë flamur pa ngritur. Ju hongsha zemrën ju hëngsha. Rrofshin durrsakët, rroftë Kruja, Shijaku, rroftë Shqipëria, rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë. Se s’ka si Shqipëria, s’ka si shoqnia, s’ka si dashnia, por s’ka as si Partia Socialiste e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore. Të shtunën është heshtje zgjedhore ndërsa të dielën shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive që do t’i përfaqësojnë për 4 vitet në vijim.
Ndërkohë që PS-ja zgjodhi ta mbyllë fushatën në Durrës, koalicioni “Bashkë Fitojmë” e mbylli në Tiranë.