Politika “Bashkë Fitojmë” mbyll fushatën, Berisha: Më 14 Maj lini mënjanë indiferencën, votoni...

“Bashkë Fitojmë” mbyll fushatën, Berisha: Më 14 Maj lini mënjanë indiferencën, votoni kandidatët e primareve

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” e mbylli fushatën zgjedhore të 14 Majit në Tiranë.

Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalimin e tij pati një mesazh për mbështetësit demokratë, por dhe për ata socialistë. Për këta të fundit u shpreh se më 14 Maj kanë një ditë shpëtimi duke votuar kandidatët e primareve. Një thirrje e pati edhe për ata zgjedhës që nuk mbështesin asnjë parti.

“Ndaj dhe unë kam një mesazh sonte për çdo demokrat dhe demokrate. Të gjithë kudo që jeni më 14 Maj të votoni kandidatët e primareve, të merrni pjesë në votime, të votoni njëshin. Njëshi është fati që shkatërron Edi Ramën. Njëshi është fati që përmbys monizmin. Njëshi është fati tek i cili ju firmosni fitoren. Njëshi është fati me të cilin ju i jepni përgjigjen më të merituar armikut të egër të PD-së, të pluralizmit shqiptar. Mesazhi im është i njëjtë për çdo socialist shqiptar. Ju them sonte se 14 Maji është një ditë shpëtimi për ju, votoni kandidatët e primareve. Votoni koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Votoni njëshin që të rifitoni PS-në të uzurpuar nga një bandë kriminale të quajtur rilindje, që ju paraqet ashtu siç nuk jeni. Nuk jeni ju populli i krimit, ju jeni njerëz të ndershëm që besoni në parimet e pluralizmit. Mesazhi im sonte është për të gjithë shqiptarët pa parti, hidhni mënjanë indiferencën, ajo është fatale për ju dhe Shqipërinë. 10 vite ngricë, 10 vite dimër, 10 vite varfëri në rritje, 10 vite largim masiv i shqiptarëve. Asnjë i ri, asnjë burrë dhe grua e këtij vendi nuk duhet të qëndrojë indiferent më 14 Maj.  Të votojë 1, të votojë koalicionin ‘BF’, të votojë Belind Këlliçin, të votojë kandidatët e primareve”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, qytetari shqiptar është ndjerë i përfillur, i nderuar dhe i vlerësuar nga fushata e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ai theksoi se kandidatët që kanë dalë nga primaret janë kandidatët e fitores dhe kandidatët e lirisë.

“Kandidatët e primareve janë kandidatët e fitores, janë kandidatët e lirisë. Sonte është një natë e veçantë në historinë e përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Sot ne mbyllim fushatën me të cilën ne ia dolëm të bindim shqiptarët, ia dolëm të takojmë shqiptarët dhe shqiptaret, të bisedojmë me ta, të vendosim së bashku më 14 Maj, të votojnë ndryshimin, të votojnë Belind Këlliçin, të votojnë kandidatët tanë, kandidatët e fitores, Igli Carën në Durrës, Bardh Spahinë në Shkodër, Luçiano Boçin në Elbasan… Projekti i tyre është projekti i shndërrimit të bashkive tona në bashki të qytetarëve, të komuniteteve të tyre”, tha Berisha.

12 Maji është dita e fundit e fushatës për zgjedhjet vendore. E shtuna është heshtje zgjedhore ndërsa të dielën shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun që duan. Ndërkohë që “Bashkë Fitojmë” e mbylli në Tiranë fushatën, kundërshtarët socialistë kishin vendosur ta mbyllnin në Durrës.