Aktualitet U përfshi në fushatë për PS-në, pezullohet nga detyra “i plotfuqishmi” i...

U përfshi në fushatë për PS-në, pezullohet nga detyra “i plotfuqishmi” i Konispolit

Policia e Shtetit ka reaguar pas një denoncimi në një media lokale se, inspektori i Policisë në Konispol Alush Çokalli, është përfshirë në fushatë elektorale, madje edhe ka ushtruar presion ndaj disa qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka nisur hetimet dhe pas verifikimit të rastit, ka pezulluar nga detyra, deri në verifikimin dhe provimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, inspektorin Çokalli.

“Në lidhje me një foto të publikuar në një portal, ditën e sotme, në të cilën shfaqet automjeti i një punonjësi policie, në zonën e Konispolit dhe pretendohet se ky punonjës ndodhej aty, për t’u bërë presion qytetarëve, në lidhje me fushatën zgjedhore, ju sqarojmë se:

Menjëherë pas publikimit të këtij rasti, është pezulluar nga detyra, deri në verifikimin dhe provimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, inspektor A. Ç, me detyrë Ndihmës specialist (SPZ) në Postën e Policisë Konispol. Gjithashtu, ndaj këtij punonjësi, ka nisur hetimi disiplinor.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, deklaroi Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës.