Kryesore Himara, shqiptare apo greke? E vërteta sipas një dokumenti të Marinës Franceze

Himara, shqiptare apo greke? E vërteta sipas një dokumenti të Marinës Franceze

Kalaja e Himares

Çështja e Fredi Belerit ka rikthyer edhe njëherë debatin për Himarën dhe nëse himariotët janë shqiptarë apo minoritarë (grekë).

Në reagim ndaj arrestimit të Fredi Belerit, Athina e quajti Himarën si “qendrën më të rëndësishme të minoritetit etnik grek”, ndërkohë që Tirana nuk ia pranon këtë definicion etnik, duke theksuar se “Himara është  tokë shqiptare”.

Juristi i të Drejtës Ndërkombëtare, Agron Alibali, solli sot një fakt që për këtë argument: një dokument të Marinës Franceze në Traktatin e Paqes në përfundim të Luftës së Parë Botërore, ku shprehet qartazi që popullsia në zonën e Himarës është shqiptare.

Në dokumentin e zyrtarit të Marinës Franceze thuhej se popullsia që shtrihet nga Valona deri në Korfuz është shqiptare, por për shkak të besimit ortodoks, Greqia është e prirur t’i konsiderojë si grekë.

“Këta shqiptarë janë të besimit ortodoks dhe për këtë arsye është prirja për t’i konsideruar si grekë. Është një dëshmi shumë e rëndësishme nga një kapiten i anijes franceze, nga një zyrtar i Marinës Franceze, i cili është ekspert dhe i raporton vendit të vet të vërtetën. Dhe duhet pasur parasysh se prirja e Francës në atë kohë është të mbështeste tezat greke në Shqipërinë e Jugut”, tha Alibali në Euronews Albania.

Po çfarë shkruhet në dokumentin francez?

“Do të doja t’i tregoja komisionit se arsyet që e shtyjnë Greqinë të pretendojë bregdetin që shtrihet nga Vallona në Korfuz janë të natyrës ushtarake. Greqia nuk mund të shtyhet nga nevojat e emigrimit të saj, as nga arsyet etnike dhe tregtare. Në lidhje me emigracionin, nëse Greqia merr territoret që kërkon në Traki, në Maqedoni, në Azinë e Vogël, në Dodekanez, emigracioni i saj nuk do të përqendrohet në këtë shtrirje të vogël bregdetare që shkon nga Vallona në Korfuz. Nga pikëpamja etnike, popullsia e gjithë këtij rajoni, siç kam mundur të kuptoj gjatë muajve të gjatë që kalova atje, është tërësisht shqiptare. Këto vende në Shqipëri janë ortodokse dhe për këtë ne priremi t’i konsiderojmë si grekë”.