Aktualitet Aksidenti i rëndë në Qafë–Thanë, policia jep detajet, të plagosurit nisen me...

Aksidenti i rëndë në Qafë–Thanë, policia jep detajet, të plagosurit nisen me helikopter drejt Tiranës

Policia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Qafë–Thanë, ku një automjet tip “Benz” humbi kontrollin dhe u përplas me një autobus pasagjerësh, e për pasojë gjashtë persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

Sipas Policisë, të gjashtë të plagosur, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit, janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranës për marrjen e ndihmës mjekësore.

“Përrenjas/Informacion paraprak: Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Përrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Përrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Përrenjasi në drejtim të Pogradecit.

Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.  Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Ndërkohë, në lidhje me aksidentin kanë folur shoferi dhe disa nga pasagjerët e autobusit, të cilët shprehen se shkak ishte automjeti tip “Benz”, i cili sipas tyre, humbi kontrollin në zbritje dhe u erdhi përballë, duke u përplasur.

Autobusi ishte me udhëtarë nga Kruja, të cilët kanë qenë për vizitë në Janinë ka qenë duke zbritur Qafë – Thanën, mjeti tjetër ka qenë duke i ngjitur për një moment ka humbur kontrollin dhe i ka dalë autobusit përpara i cili e ka përplasur. Po në këtë moment mjeti i vogël ka marrë flakë.