Aktualitet Kavajë/ Vritet me armë zjarri në lokal Arian Gosa, vëllai i Edmond...

Kavajë/ Vritet me armë zjarri në lokal Arian Gosa, vëllai i Edmond Gosës. U ekzekutua në sy të të atit

Merr përmasa edhe më tragjike përplasja e ndodhur 2 muaj më parë në Kavajë, ku një sherr mes dy 43-vjeçarëve (Armand Gosa dhe Altin Rexha) çoi në vdekjen e të dyve.

Këtë të diel, Arian Gosa, 48-vjeç, vëllai i Armand Gosës, u ekzekutua me një plumb pistolete në kokë. Ngjarja ndodhi gjatë pasdites, në një lokal të zonës. Viktima ishte duke pirë kafe me të atin, kur autori iu afrua dhe e la të vdekur në vend.

Zyrtarisht policia tha se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë hakmarrja.

Kujtojmë se Edmond Gosa i cili njihej edhe me emrin Armand Gosa mbeti i vrarë më 29 Mars të këtij viti po në Kavajë, pas një konflikti me Sali Rexhën, i njohur po ashtu me emrin Altin Rexha. Ngjarja në fjalë ndodhi në një lokal dhe dy 43-vjeçarët vranë njëri-tjetrin.

Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë.

Sherri mes palëve kishte nisur në verën e vitit 2022 në një lokal në Kavajë. Armand Gosa kishte ofenduar Altin Rexhën me origjinë duke i thënë se “malokët nuk kanë punë në Kavajë”. Prej atij momenti, Rexha kishte marrë një armë pa leje dhe e mbante për vetëmbrojtje.