Ervis Kurti, shoku i Habib Rexhës, autorit të vrasjes së Arian Gosës, është arrestuar nga policia.
Mësohet se pas shoqërimit nga policia mbrëmjen e djeshme, gjatë orëve të natës i është komunikuar masa e arrestit. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.
Kurti është ndaluar pas dyshimeve se ka ndihmuar 31-vjeçarin të largohej pas krimit. Vetë ky i fundit, në dëshminë e dhënë para hetuesve, tha se kishte qenë shoku i tij që e kishte shoqëruar me makinë drejt Kukësit.
Habib Rexha në dëshminë e tij raportohet të jetë shprehur se e vrau Arian Gosën nga gjaknxehtësia. Rexha ka thënë se armën me të cilën kreu krimin e mbante me vete. Ai e ka parë viktimën e tij rastësisht në kafe dhe më pas ka vepruar nga gjaknxehtësia. Pas kësaj është larguar bashkë me një shok nga Durrësi në drejtim të Kukësit.
“Isha pranë një kinkalerie bashkë me një shokun tim. Pashë që shënjestra ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. U largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim të Kukësit”, u shpreh ai para hetuesve.
Kujtojmë që Rexha u vetëdorëzua ditën e sotme me vullnet të lirë dhe pas kërkesës së familjes. Ai qëndroi 2 ditë në arrati pasi vrau Arian Gosën në një lokal të Kavajës pasditen e së dielës.