Robert Lewandowski ka pasur një sezon të parë më shumë se të jashtëzakonshëm te Barcelona. Sulmuesi polak bëri një pasqyrim të vitit të tij të parë si lojtar i Barçës në një intervistë për ‘TV3’, në të cilën u pyet edhe për Leo Messin, me të cilin u takua për herë të fundit në gala-në e çmimeve “Laureus” në Paris.
Disa javë më parë ai ishte pro rikthimit të argjentinasit te Barça. Sërish, Lewandowski orientohet në këtë drejtim. Ai pranoi se gjatë takimit të tyre në “Laureus” kanë folur për Barcelonën.
Madje polaku tha një frazë që me siguri do të ushqejë iluzionin e tifozëve të Barcelonës. “Kur fola me të për Barcelonën, pashë në sytë e tij se çfarë do të thotë ky klub dhe ky qytet për të”, – tha Lewandowski për Messin, pas takimit në Paris.
Robert Lewandowski është pyetur edhe për Joshua Kimmich, mesfushorin e Bayern Munich, që figuron në listën e dëshirave të Barçës për sezonin e ardhshëm. Polaku nuk hezitoi të lavdërojë ish-bashkëlojtarin e tij bavarez:
“Ai është një lojtar dhe djalë i jashtëzakonshëm. Nuk dua të flas shumë për të, sepse është pjesë e Bayern Munich, por e njoh shumë mirë prej vitesh. Mund të them vetëm gjëra pozitive për të si njeri dhe futbollist”.
Duke rishikuar si ka shkuar viti i tij i parë si lojtar i Barçës, sulmuesi në fjalë nënvizoi:
“Për mua, gjithçka ishte e re. Më duhej të kuptoja shumë gjëra. Kjo është arsyeja pse Xavi më tregon gjithmonë shumë për klubin dhe lojtarët. Kjo ma ka bërë më të lehtë përshtatjen, veçanërisht në fillim. Gjatë festimeve në rrugët e qytetit kuptova se çfarë do të thotë për tifozët tanë fitimi i titullit në La Liga. Për mua ishin shumë e veçantë, pata ndjenja të pabesueshme. Gjithçka që pashë ishte shumë emocionuese”.