Ennio Morricone ishte një prej kompozitorëve më të mëdhenj në botë i kolonave zanore. Kompozimet e mjeshtrit të madh Morricone, të njohura botërisht për stilistikën e përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve televizive, do të vijnë mbrëmjen e datës 5 qershor për publikun përmes një koncerti, që do të zhvillohet me artistët në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Sipas TKOB koncerti do të përkujtojë një ndër kompozitorët më të shquar.
“Shoqëruar mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e maestros, Benedetto Montebello, dhe Dritan Lumshi, ky koncert simfonik do të përkujtojë një ndër kompozitorët më të shquar të 100 viteve të fundit”, thuhet nga TKOB për këtë koncert.
Pjesë e koncertit simfonik vokal do të jenë edhe dy sopranot Rovena Xhelili dhe Marina Kurti. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit koncerti vjen me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane.
Koncerti që do të jetë mbrëmjen e 5 qershorit në Tiranë në skenën e TKOB për publikun vjen në vijim dhe të veprimtarive të tjera që po zhvillohen në kuadër të “Javës Kulturore Italiane” në vendin tonë, por koncerti për mjeshtrin e madh Ennio Morricone është një nga kulmet e kësaj jave të kulturës italiane.
Kompozitori i famshëm
Ennio Morricone, kompozitori i famshëm italian fitues edhe i çmimit “Oscar” u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare më 6 korrik 2020 në Itali. Morricone njihet për kolonat zanore të shumë filmave të njohur italianë dhe të kinemasë botërore. Ai mori çmime “Oscar”, një në 2007-ën dhe një në vitin 2016. Ennio Morricone njihet më së miri ndërkombëtarisht si kompozitori i melodive të njohura si “The Good, the Bad and the Ugly”, “Once Upon a Time in the West”, apo “Chi Mai”. Ai klasifikohet si një prej kompozitoreve më të zotë të periudhës së tij dhe ka kompozuar muzikën e më shumë se 500 filmave dhe serive televizive.
Morricone ka fituar dy çmime Grammy Awards, dy Golden Globe, pesë Anthony Asquith Awards for Film Music nga BAFTA në 1979-1992, si dhe The Polar Prize në 2010.
Ai është nominuar për pesë “Academy Awards” për muzikën më të mirë të filmit. Në vitet 2000, Morricone vazhdoi të kompozojë muzikë për seriale të suksesshme televizive, siç janë “il cuoro nel paze” (2005), Karol: Një njeri që u bë Papë (2005), La provinciale (2006), Giovanni Falcone (2007), Pane e libertà ( 2009) dhe Come Un Delfino 1-2 (2011-2013). Gjatë karrierës së tij, Morricone u nderua gjithashtu edhe me 11 çmime “David di Donatello”, çmimet më vlerësuese për filmat në Itali.