Aktualitet Vrasja e Jurgen Kurtit, 10 vite e 8 muaj burg për një...

Vrasja e Jurgen Kurtit, 10 vite e 8 muaj burg për një nga autorët

Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin me 16 vjet burgim për Elsi Levendin, si autori i vrasjes së Jurgen Kurtit, i njohur edhe si menaxheri i VIP-ave në mars të 2019.

Por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, Levendi do të vuajë 10 vite e 8 muaj në burg.

Çështja u dërgua në Apel nga Prokuroria e Tiranës e cila kërkonte dënimin e tij me 25 vjet burg, si dhe vetë i pandehuri i cili kërkonte pushim të çështjes, duke pretenduar pafajësi. Por asnjëra nga kërkesat nuk u pranua.

Elsi Levendi ishte personi i cili ruante lëvizjet e Jurgen Kurtit dhe njoftonte anëtarët e tjerë të grupit. Ishte pikërisht 21-vjeçari personi i parë që ra në gjurmët e policisë, pasi u kap nga kamerat e sigurisë në rrugën “Zef Jubani”, aty ku mbrëmjen e 18 marsit u ekzekutua për vdekje 26-vjeçari.

Vrasja ndodhi në 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani”. 26-vjeçari Jurgen Kurti u qëllua për vdekje nga tre persona. I riu, që ishte i njohur në punën si menaxher i personazheve të njohur, u qëllua me 17 plumba teksa po dilte nga palestra.

Vrasësi qëndroi në një kafe mbi një orë duke e pritur viktimën dhe madje shkrepi edhe fotografi të vendit, ku i riu po bënte palestër. Menjëherë pasi e qëllon për vdekje Jurgen Kurtin, vrasësi u largua me një taksi.

Tre persona kanë përfunduar në pranga në mars 2019, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit.

Tre të arrestuarit akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e Kurtit. Ata janë Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Patos, Fier, si dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një automjet, që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Dyshimet janë se vrasja u krye nga persona të paguar për shkak të konflikteve të mëparshme të viktimës.

Kurti ishte një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë, në 2016 u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe i akuzuar për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve.

Megjithatë, Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet.