Kanabisi është droga e paligjshme më popullore në Europë. Rreth 28% e europianëve të rritur kanë marrë një dozë gjatë jetës; francezët kryesojnë listën, me pothuajse 45%.
Për më tepër, qëndrimet ndaj përdorimit të drogës po ndryshojnë me shpejtësi. Në Gjermani, për shembull, mbështetja për legalizimin ka shkuar nga 30% në vitin 2014, në 61% vitin e kaluar, shkruan The Economist.
Megjithatë, planet e Gjermanisë për të kaluar drejt legalizimit të plotë të konsumit dhe shitjes së kanabisit u ndalën papritur. Deri kohët e fundit, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, kishte qenë optimist mbi perspektivat për ndryshim rrënjësor.
Por pas bisedimeve me Komisionin Europian, mbi planin e legalizimit, është ngritur një re tymi, njëlloj si furgoni i famshëm i komedianëve Cheech dhe Chong, i mbushur me hashash. Pa një shtysë gjermane, reforma e kanabisit në Europë tani duket e pamundur në një periudhë të afërt.
Sipas strategjisë së rishikuar të Gjermanisë, të rriturit do të lejohen të kultivojnë kanabis në shtëpinë e tyre dhe të formojnë “klube sociale të kanabisit”.
Këto janë shoqata jofitimprurëse brenda të cilave lejohet rritja dhe shpërndarja e kanabisit, megjithatë, produkti nuk mund t’i shitet askujt tjetër. Në vend që të hapin një shteg në Europë, gjermanët po ndjekin një strategji shumë të kufizuar që edhe vende të rrepta si Spanja dhe Malta, e kanë miratuar tashmë.
Askush nuk e ka plotësisht të qartë pse gjermanët i hodhën poshtë planet e tyre, thotë Dorien Rookmaker, deputete holandeze, e cila është e përfshirë në një grup ndërpartiak të Parlamentit Europian për legalizimin e kanabisit për përdorim personal.
Por Martin Jelsma nga Instituti Transnacional, një institut kërkimor i themeluar nga Holanda, mendon se arsyeja është se propozimet nuk janë në përputhje me një vendim kuadër të Këshillit të BE-së mbi drogat në vitin 2004, as me tre traktate përkatëse të OKB-së.
Marrëveshja kuadër e BE-së përgjithësoi dënimet minimale për veprat penale të trafikut të drogës në bllok, por u la vendeve anëtare të BE-së njëfarë diskrecioni ligjor, kur bëhet fjalë për përdorimin personal, klubet sociale dhe zotërimin e hashashit.
Gjermania po planifikon gjithashtu një fazë të dytë që përfshin projekte në të cilat do të lejohen shitjet lokale. Detajet e këtyre skemave ende nuk janë bërë të ditura. A do të ndodhin në të vërtetë?
Ndoshta. Holanda po planifikon të nisë një skemë të tillë, e njohur si wietexperiment, ose “eksperimenti i hashashit”, deri në fund të vitit 2023 në dhjetë komuna (“kafenetë” e Amsterdamit janë një përjashtim i vendosur që përpara hyrjes në fuqi të vendimit të BE-së në vitin 2004).
Republika Çeke, gjithashtu e entuziazmuar për liberalizimin e ligjeve të kanabisit, duket se do të ndjekë të njëjtin shembull.
Statusi ligjor i këtyre skemave për shitjen e kanabisit është i paqartë. Zoti Jelsma thotë se do të ishte e dobishme nëse komisioni do të jepte disa tregues se cili është pozicioni i tij për këtë çështje.
Në një pamje të parë, skemat shkelin ligjet e BE-së. Por meqenëse ato nuk janë në shkallë kombëtare dhe janë të kufizuara në kohë, komisioni mund të mos dëshirojë të nisë një procedurë shkeljeje.
Ndryshimi në politikën gjermane përfaqëson një goditje për legalizimin e plotë europian të kanabisit. Një faktor mund të jetë se askush nuk ka dëshirë për një përkeqësim të tillë rregullator tani, kur Europa po përballet me pasojat e luftës në Ukrainë dhe me inflacion të lartë.
Megjithatë, zonja Rookmaker mendon se ndryshime të mëtejshme janë ende të mundshme nëse mjaftueshëm vende vazhdojnë të këmbëngulin.