Basha në Kamëz: Rama, Berisha e Meta duan monopol mbi politikë, rinia bojkotoi 14 majin, ta ndryshojmë këtë
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin e radhës me qytetarët, është ndalur në Kamëz, aty ku PD humbi bastionin e saj në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Basha u ndal tek zgjedhjet vendore të 14 majit, duke thënë se rinia foli qartë duke mos marrë pjesë në këto zgjedhje, pasi sipas tij janë të lënë pas dore.
“Qytetarët, rinia duhet të bëhet pjesë e vendimmarrjes politike. Duhet të shohim se cilat janë hapat që duhet të hedhim, që të folurin me bojkot ta ndryshojmë. Më 14 maj spikati mungesa e të rinjve. Jemi në një plagë të hapur prej kohësh që dhimbjen e bën edhe më keq vallja që hedh kundërshtari ynë politik. Kauza jonë është kombëtare dhe para se të drejtojmë gishtin tek manipulimet zgjedhore dhe bishtat e kësaj qeverie duhet ta drejtojmë edhe nga vetja jonë”, tha Basha.
Basha deklaroi se politika e vjetër, luan lojën e saj dhe se nuk është e angazhuar t’u shërbejë qytetarëve, por synon vetëm pushtetin.
I pyetur lidhur me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, Basha tha se janë të shqetësuar nga dalja e tij dhe kërkesat kryesore të tij për vettingun politik, listat e hapura si edhe kufizimin e mandatit të kryeministrit.
“Nuk është shqetësuar vetëm ai nga dalja, por shumë të tjerë. E kanë monopolizuar debatin publik dhe duan të dalin vetëm ata të tre dhe kukullat e tyre. Unë kam vetëm pak ditë që flas për të gjitha problemet dhe thelbi është që vendimmarrja t’i kalojë qytetarëve. Këta duan monopol mbi politikën, median, ekonominë dhe duan që Shqipëria të mbetet i atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, tani duhet t’i japim zë shumicës së shqiptarëve.
Ky është angazhimi im dhe për këtë kam dalë të flas me qytetarët, për listat e hapura sepse vendosni ju, vettingu politik u djeg sepse duan të shajnë pa shkuar më tej, pa hapur letra. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani, le ta fillojnë me mua dhe jo me ata të tre. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe të atyre dhe të shohim a i justifikojnë apo jo. Ky është Vettingu i politikanëve. Këtë se duan sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon, apo futet dikush tjetër që nuk nda agjendën e tyre. Por unë jua përsëris: A janë për vettingun politik, listat e hapura, për kufizimin e mandatit të kryeministrit, po apo jo? Sa për avazin e vjetër, po mundohet të heqë vëmendjen nga përgjegjësia për humbjen e 14 majit me sulmet ndaj meje”, tha Basha.